Në Komunën e Istogut është shënuar një incident teknik si pasojë e një rrjedhjeje të klorit nga një gyp i dëmtuar.

Sipas njoftimit të Komunës së Istogut, defekti është identifikuar dhe riparuar menjëherë nga ekipet përkatëse.


Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A., Njësia Operative në Istog, ka bërë të ditur se uji i pijshëm në këtë komunë është i pastër dhe i sigurt për konsum.

Sipas njoftimit të Hidrodrinit, problemet e shfaqura në burimin e Istogut kanë të bëjnë me sistemin e pajisjeve të klorit të gaztë, i cili është emetuar në ajër, por ky incident nuk ndërlidhet dhe nuk paraqet rrezik për cilësinë e ujit të pijshëm.

“Uji i pijes është testuar gjatë mbrëmjes në dy lokacione dhe është në vlera normale”, thuhet në komunikatën e KRU “Hidrodrini”./Telegrafi/