Krokodili hyn në pishinën e një hoteli luksoz në Australi, publikohen pamjet

Pamjet e postuara në internet gjatë fundjavës tregojnë një krokodil që zhytet në pishinën e një hoteli luksoz në Australinë verilindore, ndërsa mysafirët po relaksoheshin në diell vetëm pak metra larg.
Një video e postuar në TikTok tregon zvarranikun e shtrirë në fund të pishinës në Sheraton Grand Mirage Resort në Port Douglas.
Në sfond, dëgjohet përdoruesja e platformës që krijoi dhe postoi videon, Lisa Keller, duke thënë: "Nuk dua të shqetësoj askënd, por ka një krokodil në pishinën e Sheraton.”
Pastaj ajo i afrohet pishinës dhe filmon turistët duke marrë rreze dielli dhe duke u relaksuar në shezlonet rreth pishinës.
"Askush nuk duket se interesohet", shton ajo.
Menaxheri i objektit, Joseph Amerio, tha se krokodili u vu re të shtunën në mëngjes dhe zona përreth pishinës u evakuua derisa punonjësit e Shërbimit të Jetës së Egër të Queenslandit e larguan zvarranikun.
Kafsha është zhvendosur në një vend të sigurt dhe afër objektit janë vendosur shenja paralajmëruese për praninë e mundshme të krokodilëve në zonë.
Është vlerësuar se në Australinë veriore jetojnë më shumë se 100,000 krokodilë të ujërave të kripura, si dhe krokodilë të ujërave të ëmbla, të cilët konsiderohen më pak agresivë. /Telegrafi/


















































