Krijimi i kapaciteteve të reja testuese, kërkohet edhe licencimi i institucioneve private për të kryer testime

Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një sërë masash për luftimin e pandemisë COVID 19, me të cilat ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore që të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore përkatëse, për të trajtuar rastet e prekura me COVID 19.
Po ashtu, me vendimin e ri qeveritar, Ministria e Shëndetësisë obligohet për krijimin e kapaciteteve të reja testuese në regjione dhe licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19, në përputhje me ligjet në fuqi.
Këto masa parashihen në vendim:
Riorganizimin e klinikave në kuadër të SHSKUK-së, duke krijuar shtretër dhe hapësira shtesë; Krijimin e kapaciteteve shtesë me shtretër dhe hapësira në spitalet rajonale; Krijimin e kapaciteteve shtesë me shtretër dhe hapësira spitalore në institucione private shëndetësore në përputhje me ligjet në fuqi.
Në këtë funksion obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të rrisin kapacitetet me personel shëndetësor të nevojshëm për trajtimin e rasteve të prekura me COVID 19, duke përfshirë:
Riorganizimin e personelit shëndetësor në shërbim të rasteve të prekura me COVID 19; Mobilizimi i stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht; Në veçanti, të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID 19.
Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe të menjëhershme për të realizuar testimet virologjike, duke përfshirë:
Shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve ekzistuese për testim; Krijimin e kapaciteteve të reja testuese në regjione; Licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi; Prioretizim i testimit të personave më në nevojë.
Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndajnë buxhetin e nevojshëm për blerjen e:
deri në 100,000 teste virologjike; deri në 500,000 vaksina për gripin sezonal; të bëhen porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër COVID-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së; 7 aparateve për testim, Terapive specifike për trajtimin e të prekurve me COVID 19 në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së; Ndarjen e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësorë shtesë sipas nevojës; Pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor sipas nevojës; Pagesën shtesë për angazhimin shtesë të personelit shëndetësor. /Telegrafi/









































