LAJMI I FUNDIT:

Kreshnikët e betejave të humbura

Kreshnikët e betejave të humbura

Akilit iu ofruan dy mundësi: të ishte jetëshkurtër, por ta fitonte lavdinë e përjetshme ose të bënte jetë luksoze, të zakonshme, të mërzitshme, por të harrohej.

Akil kreshniku, i cili luftoi për lavdi dhe jo për plaçkë, e pranoi jetën e shkurtër, të mundimshme, të trazuar, tragjike, por të lavdishme. Se e tillë është lavdia. Ajo kërkon sakrificë të madhe.

Kreshnikët tanë duan të bëjnë jetë të lumtur, t’i shijojnë të gjitha të mirat e kësaj bote dhe njëkohësisht duan ta prekin lavdinë. Atyre, pasi nuk u mjafton kjo botë, ku janë protagonistë, duan që të bëhen edhe protagonistë të historisë. Kur u përmenden dështimet, atëherë flasin për lavditë e së kaluarës. Duan të na bindin se historia do t’ua shënojë emrat me shkronja të arta.

Shoqërisë sonë nuk i duhet kjo vetëdije epike. Asaj i duhet një vetëdije e re, një mënyrë e re e të menduarit: më përgjegjëse për jetën e përbashkët, më liberale, më kreative, më kritike ndaj modelit kulturor tradicional, më e hapur ndaj “madhështisë së veçantisë”, siç thotë Enzensbergeri.

Shoqërisë sonë i duhet një filozofi jetësore dhe mënyrë jetese më humane, më e hapur ndaj vlerave që krijohen në sisteme të ndryshme kulturore.

Shoqëria jonë duhet të dalë nga mentaliteti i pallangës, i stimuluar sot nga elitat politike dhe kulturore.

Elitat politike dhe kulturore, që na imponojnë ndjeshmërinë epike, që bëjnë kinse i mbrojnë vlerat tradicionale, të cilat, sipas tyre, duhet të pranohen pa gjykim kritik dhe pa të drejtë kontestimi, po i degjenerojnë edhe ato vlera për qëllime agjendash politike.

Kundërshtuesit e këtyre diskurseve sulmohen në emër të patriotizmit. Sulmohen nga shqiptarët me pagesë.

Çdo kohe i duhet mendësi e re, diskurs i ri dhe jo gjendje e ngrirë. Në vend se të merremi me të “kaluarën e lavdishme” duhet ta shohim mjerimin e sotëm.

Duhet të formësojmë një vetëdije kritike dhe jo glorifikuese.

Duhet ta pranojmë se jemi duke jetuar brenda një gropë, ku, të mbyllur brenda saj, e humbim hapin me zhvillimet globale dhe mbetemi në margjina të botës së qytetëruar.

Shoqëria është si qenie e gjallë. Që ta shërosh, duhet të evidentosh plagët e saj, pastaj t’i bësh terapinë.

Shoqëria jonë ka krizë të madhe jo vetëm politike e institucionale, por ka krizë morale.

Politikanë dhe intelektualë, të rinj për nga mosha, mjerisht, rrotullohen tek i njëjti model kulturor, politik, jetësor. Ata përjetojnë ekstazë kur fotografohen me frymëzënësit e kohës sonë. Mendojnë vetëm si t’i realizojnë ambiciet e tyre utilitare.

Nuk di edhe sa vite do merremi me bëmat e së kaluarës, që janë bërë licencë për ta dominuar skenën politike.

Nuk di edhe sa kohë me historinë do të merren politikanët në vend se të merren historianët.

Nuk di edhe sa kohë do të gjejmë justifikime për t’i mbrojtur keqbërësit e botës sonë etnike.

Nuk di edhe sa kohë do të vazhdojë adhurimi i këtij modeli të cekët, jo kreativ, të cilin, po e kundërshtove, do të linçohesh në emër të kombit, të fisit, të moralit. Do të linçohesh nga ata që janë kundër çdo ndryshimi në emër të ndryshimit.

Di vetëm se popujt shkojnë drejt katandisë kur gjithçka duan të jetojnë në gjendje të ngrirë, kur gjithçka duan ta arrijnë me lehtësi të frikshme, kur e humbin sensin e përgjegjësisë ndaj jetës së përbashkët, kur kanë frikë nga liria dhe nga dija, kur udhëhiqen nga kreshnikët e betejave të humbura. /Shenja/