Site icon Telegrafi

Krasniqi: Janë 314 pacientë me COVID-19 që po trajtohen në spitale, 13 në gjendje kritike

Nëpër klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në Spitalet Rajonale janë duke u trajtuar 314 pacientë, të cilët janë të infektuar me coronavirus, nga të cilët 13 janë në gjendje kritike.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi gjatë konferencës për medie ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e pacientëve të infektuar me COVID-19, të cilët janë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe ata nëpër Spitalet e Përgjithshme në qyteteve tjera.

“Sot nëpër Klinikat COVID të QKUK-së dhe nëpër Spitalet Rajonale janë 494 raste të konfirmuara ose të dyshuara për COVID-19, prej të cilëve tashmë janë 314 raste të konfirmuara me COVID-19. 177 janë nëpër klinikat në QKUK, kurse 137 të tjerë janë të shtrirë në spitale regjionale, prej numrit total kemi 13 pacient në ventilim mekanik, të intubuar, në gjendje kritike, ndërkaq 23 pacient të tjerë me metodë jo-invazive të ventilimit mekanik”, tha Krasniqi gjatë konferencës për medie.

“Siç jeni informuara ne kemi marrë vendime ditëve të fundit dhe kemi një qasje të re sa i përket trajtimit të pacientëve, ku kemi rritur kapacitetet në Spitalin e Vushtrrisë me 60 shtretër, presim që brenda kësaj jave të jenë të jenë funksional dhe pacientët të shtrihen. Po ashtu kemi filluar përgatitjet për të shtuar kapacitetet e për 10 shtretër të mjekimit intensiv në Spitalin e Prizrenit. Kemi shtuar dukshëm, me ndihmën e MSH-së, me punësimin e 100 mjekëve të ri, i kemi shpërndarë 50 mjekë në QKUK, 20 në Klinikën Infektive, 10 në Pulmologji, 7 në Emergjencë dhe 8 në Neurologji. Shpejt presim të shtojmë edhe infermierë, ndërkohë që nga kjo javë kemi filluar me rritje të kapaciteteve të shërbimeve duke angazhuar edhe terapeutët dhe duke i bërë pjesë të ekipit të infermierëve”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version