LAJMI I FUNDIT:

Kovaçevski: Nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, do të ndërpritet rruga evropiane e vendit

Kovaçevski: Nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, do të ndërpritet rruga evropiane e vendit

Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvend e filloi seancën e parë me një pikë të rendit të ditës – Propozim për qasje në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga 17 anëtarë të pranishëm të Komisionit, 10 deputetë votuan “pro” rendit të propozuar, shtatë ishin “kundër”, dhe nuk pati asnjë abstenim.

Propozues është Qeveria, ndërsa propozimin e ka sqaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.


Ai tha se propozimi është tërësisht në drejtim të qëllimit konsensual të shtetit – anëtarësimit në BE, të vendosur në vitin 1991, që sot është vullneti shumicë i qytetarëve dhe një shans për brezat e rinj të ardhshëm dhe garanton një të ardhme evropiane.

“Amendamentet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë çështje identitare, prandaj qytetarët nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar”, tha Kovaçevski.

“Nuk duhet ta humbim këtë shans për Evropën. Ndodhi një herë kur u ndamë nga Kroacia. E nëse do të ndodhë edhe këtë vit, do ta vendosni ju në Parlament. Përfaqësuesit evropianë paralajmërojnë se ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit. Kjo do të thotë se ato nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në”, tha Kovaçevski.

Ai deklaroi se BE-ja nuk ndërhyn në çështjet e identitetit dhe se asnjë prej ndryshimeve kushtetuese nuk i prek ato./Telegrafi/