Ka përfunduar pa incidente të theksuara procesi zgjedhor sot në Kosovë. Qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit në 38 komuna, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët.

Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe të njëjtat janë mbyllur në orën 19:00.


KQZ-së, ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 43% apo 770 mijë e 117 votues.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë.

Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën ka qenë 883 ndërkaq i vendvotimeve ishte 2,477.

Pas pak  do të dalin edhe rezultatet e para preliminare të këtyre zgjedhjeve.  Telegrafi nga orët e mëngjesit ka raportuar dhe po vazhdon të raportoj në kohë reale për tërë procesin zgjedhor. /Telegrafi/

17/10/2021 20:16-Gashi i LDK-së: Kemi fituar disa komuna pa balotazh

Udhëheqësi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Arben Gashi në konferencën për media ka thënë se si subjekt kanë arritur rezultate impresive.

Gashi tha se 4 deri në 6 komuna i kanë fituar pa balotazh, ndërsa në balotazh janë Prishtina dhe Podujeva. Lajmi i plotë.

17/10/2021 19:59-KQZ-ja fillon publikimin e rezultateve të para për komuna

Rezultatet mund t’i përcillni në kohë reale, duke klikuar në këtë LINK.

17/10/2021 19:41-KQZ: Dalja e qytetarëve në zgjedhje është 43%, ka filluar numërimi i fletëvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) , në konferencën e katërt për sot, ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi zgjedhor dhe se tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 43% apo 770 mijë e 117 votues.

17/10/2021 19:34-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Podujevën

Bulliqi i LVV-së dhe Hyseni i LDK-së në balotazh, i plotë.

17/10/2021 19:33-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjakovën

Ardian Gjini e Mimoza Kusari Lila në balotazh, i plotë.

17/10/2021 19:32-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën

Arben Vitia e Përparim Rama në balotazh, i plotë.

17/10/2021 19:31-Gjilani shkon në balotazh, EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini

Garë e ngushtë mes Lutfi Hazirit dhe Alban Hysenit, i plotë.

17/10/2021 19:29-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prizrenin

Haskuka e Totaj në balotazh, i plotë.

17/10/2021 19:26-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Ferizajn

Agim Aliu i PDK-së fiton pa balotazh, e plotë.

17/10/2021 19:25-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Pejën

Gazmend Muhaxheri i LDK-së fiton pa balotazh, e plotë.

17/10/2021 19:24-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Mitrovicën

Bedri Hamza fiton pa balotazh, lajmi i plotë.

17/10/2021 17:57-Çitaku: Nga terreni po marrim informacione pozitive dhe inkurajuese

Derisa kanë mbetur më pak se 2 orë deri në mbyllje të qendrave të votimit, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) thotë se nga terreni po marrin informacione pozitive dh inkurajuese për këtë parti.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pasi sot është dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare për komunat e Kosovës.

17/10/2021 17:28-AAK fton qytetarët të votojnë në këto orë të fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë do të mbajë konferencë për media pas mbylljes së të gjitha vendvotimeve, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj partie të cilët kanë thënë se konferenca do të mbahet në orën 21:00.

Anëtarja e kryesisë së AAK-së, Vasilika Zotaj Asllani ka ftuar qytetarët që ende nuk kanë votuar, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në kutitë e votimit.

17/10/2021 17:11-Dyshime për shit-blerje të votës, arrestohen dy persona në Malishevë

Dy persona janë arrestuar sot në Malishevë, nën dyshimet për shit-blerje të votës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar komandanti i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta ka bërë të ditur se të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner.

17/10/2021 16:43-Përplasje e komisionerëve të partive në qendrën e votimit në fshatin Turjakë të Malishevës

Në qendrën e votimit në fshatin Turjakë të Malishevës, ka ndodhur një përplasje në mes të komisionerëve të Nismës dhe LVV-së.

Menaxheri i qendrës, Agron Zogaj, ka refuzuar të flasë para kamerës për Kallxo.com në lidhje me rastin, pasi sipas tij, nuk është e arsyeshme të flas për këtë rast.

“Rasti ka ndodhe brenda votimit unë s`mundem me dhënë detaje për diçka që ka ndodhe atje. Edhe s’ka qenë rast po një votues kur ka ardh te vendi i votimit e ka marrë me vrull fletën edhe është ndërprerë votimi për 5 minuta edhe se shoh të arsyeshme me fol për këtë para kamerës”, ka deklaruar Zogaj.

17/10/2021 16:25-Dalje e madhe e qytetarëve në votime në komunat me shumicë serbe, prinë Zveçani dhe Mitrovica e veriut

Dalje masive e qytetarëve në votime është vërejtur sot në komunat me shumicë serbe.

Nga tetë komunat me shumicë serbe, komuna e Zveçanit renditet e para me daljen më të madhe të qytetarëve në votime.

Deri në orën 15:00 në këtë komunë kanë dalë 56,91% e qytetarëve. Pas Zveçanit, e dyta renditet Mitrovica e veriut më 55,03% të pjesëmarrjes së qytetarëve.

17/10/2021 15:44-KQZ: Procesi po vazhdon pa incidente - 26,9 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 26,95% apo 499 mijë e 828 votues.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i votimit po vazhdon në të gjitha vendvotimet pa ndonjë incident të theksuar.

Radoniqi ka shtuar se deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale në vitin 2017 kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28,65%.

17/10/2021 15:28-Një person ka fotografuar votën në një qendër të votimit në Prizren

Një person ka fotografuar votën në një qendër të votimit në Prizren.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës në Prizren, Shaban Osmanollaj, ngjarja ka ndodhur në shkollën “Mati Logoreci”, më saktësisht në vendvotimin 2009/A.

17/10/2021 14:45-Revoltohet qytetari me nevoja të veçanta pasi nuk mundi të votojë, e thërret policinë

Një qytetarë me nevoja të veçanta nga Gjilani, ka shkuar sot për të ushtruar të drejtën e tij për votuar, por i njëjti është revoltuar me të arritur në qendrën e votimit.

Ai është revoltuar pasi që e ka pasur të pamundur qasjen në vendvotimin ku atij i është caktuar të votojë.

“Do ta thërras policinë që vend ngjarje të jetë edhe prokuroi i shtetit, se e ka pas me dije atë këtë punë. Shteti e ka pasur për obligim me kriju qasje. Këta sen skan ba, kjo është krim. Kërkoj të arrijë policia dhe prokurori i shtetit”, ka thënë qytetari Ibishi.

17/10/2021 14:26-Dalja në votime e qytetarëve në shtatë komuna deri në orën 11:00, prin Prishtina me daljen më të lartë

Në tërë komunat e Kosovës është duke vazhduar procesi zgjedhor, ku qytetarët me votën e tyre sot do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

Deri në orën 11:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalja e qytetarëve në votime në tërë territorin e Kosovës ka qenë 8.21%.

Lidhur me këtë nga shtatë komunat e mëdha, dalje më e ultë e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 është vërejtur në komunën e Prizrenit, kurse më e larta ka qenë në Prishtinë.

17/10/2021 13:29-Konjufca: Sot, ditë e rëndësishme për demokracinë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka ushtruar të drejtën e tij të votimit.

Pas hedhjes së votës, Konjufca para mediave tha se sot është ditë e rëndësishme për demokracinë.

“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë. Do ta legjitimojmë pushtetin lokal në republikën tonë. Do të zgjedhim kryetarët e komunave dhe përbërjen e asamblesë për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Konjufca.

17/10/2021 13:20-I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA: Dilni dhe votoni- demokracia nuk është sport spektatorësh

I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane, Nicholas Giacobbe, ka thënë se u takon qytetarëve të Kosovës të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet duke votuar.

“Demokracia nuk është një sport spektatorësh. Derisa Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare të vëzhgimit, në fund të fundit, ju takon juve, kosovarë, të bëni zërat tuaj të dëgjohen dhe të zgjidhni udhëheqësit komunalë që ndajnë përparësitë tuaja”, tha Giacobbe në një postim në Facebook.

17/10/2021 13:12-PDK: Këto zgjedhje janë për qytetarët e jo për politikanët, demokracia do të jetë fituesi i këtij procesi

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për media ka thënë se këto zgjedhje janë për qytetarët e jo për politikanët.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre.

“Këto zgjedhje lokale janë për qytetarët e jo për politikanët. I ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin dhe të votojnë. Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, të moshuarit, gratë dhe burrat, prindërit tanë me votën e tyre sot do të fuqizojnë demokracinë”, tha Çitaku.

17/10/2021 12:54-Familja Jashari shkon për të votuar me flamurin kombëtar

Qytetarët e Kosovës sot që nga ora 07:00 e mëngjesit kanë filluar të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

Një të drejtë të tillë e kanë ushtruar sot edhe familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Anëtarët e familjes Jashari, të prirë nga Rifat Jashari kanë shkuar në qendrën e votimit me flamurin kombëtar. /Telegrafi/

17/10/2021 12:42-LDK: Pritshmëritë tona janë pozitive, qytetarët të dalin të votojnë

Shtabi zgjedhor i LDK-së, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka diskutuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Udhëheqësi i këtij shtabi, Arben Gashi ka thënë se presin që një pjesë të komunave të mos shkojnë në balotazh.

Ai më tej ka bërë të ditur se në disa qendra të votimit ka pasur probleme me energji elektrike, derisa ka ftuar KEDS-in dhe KQZ-në që problem të tilla të mos paraqiten në orët e pasdites.

“Ne sot kemi të angazhuar rreth 2651 komisionarë dhe 4400 vëzhgues dhe me mijëra aktivistë dhe njerëz që sot punojnë për LDK-në dhe komunat e tyre. Procesi ka filluar sipas kohës së paraparë ligjore, ka filluar mirë dhe korrekt. Ka pasur probleme të vogla në ndonjë vendvotim ose qendër të votimit. ka pas disa probleme të vogla me energji elektrike, por përgjithësisht ka qenë proces i mirë. Prandaj e ftoj KEDS-in dhe KQZ-në që të gjitha votimet të jenë me energji sidomos gjatë natës”, ka thënë Gashi.

17/10/2021 12:39-Policia jep detaje rreth arrestimit të katër personave për manipulim me vota

Një qytetar i Gjilanit ka fotografuar votën e tij, por i njëjti pas shoqërimit në stacion policor është liruar ne procedurë të rregullt.

Zëdhënësi i Policisë në regjionin e Gjilanit, Ismet Hashani ka treguar për KosovaPress se në mbulimin e shtatë komunave, ky stacion ka evidentuar vetëm këtë rast parregullsie.

"Përveç një rasti të fotografimit të votës, edhe këtu prokurori i shtetit menjëherë është kyç dhe ka urdhëruar që për momentin të mbetet vetëm me një shënim zyrtar, derisa të dihen detajet për qëllimin që e ka shtyrë për të fotografuar. Dhe në të gjitha pikat tjera në shtatë komuna tona është duke rrjedhur një proces jashtëzakonisht i qetë", deklaron ai.

Hashani po ashtu ka folur edhe për rastin e djeshëm në Kllokot, ku dyshohet se katër persona janë përfshirë në shitblerje të votës.

17/10/2021 12:21-DnV: Dalje e madhe e qytetarëve në votime në komunat në veri

Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është 3 herë me e lartë krahasuar me komunat tjera.

Deri më tani, është raportuar për nivel të kënaqshëm të respektimit të masave anti-covid nga ana e komisionerëve (73%) dhe qytetarëve që po frekuentojnë qendrat e votimit është (71%). /Telegrafi/

17/10/2021 11:45-KQZ: Deri në ora 11:00 kanë votuar 8.2 për qind e votuesve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se duke u mbështetur në informacionet e komisioneve komunale të zgjedhjeve procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë incident që do të dëmtonte procesin zgjedhor.

Radoniqi në konferencën e dytë për media të KQZ-së tha se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotime numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 8.2 për qind apo rreth 152 mijë votues.

“Në të njëjtën kohë në zgjedhje lokale të 2017 kishin votuar 10.34 për qind”, tha ai.

17/10/2021 11:30-Presidentja Osmani fton qytetarët të votojnë dhe t’i respektojnë masat antiCOVID

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se zgjedhjet janë një proces tejet i rëndësishëm për jetën e qytetarëve.

Osmani e cila ishte e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy vajzat tha se qytetarët me votën e tyre sot determinojnë si do të jetë jeta në katër vitet e ardhshme në komunën e tyre.

“Një proces tejet i rëndësishëm për jetën e qytetarëve tanë... Qytetarët votojnë sot për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunën e tyre për udhëheqësinë që do ta determinojë se si në katër vitet e ardhshme do të jetë jeta e tyre në komunat ku ata jetojnë”, tha ajo, duke i ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje.

“Të dëshmojmë se qytetarët e Kosovës janë ata që e mundësojnë dhe e mbrojnë çdo proces të drejtë e demokratik që ka të bëjë me jetën e tyre”, tha ajo.

Presidentja e vendit po ashtu bëri thirrje që të respektohen masat antiCOVID.

17/10/2021 11:15-Pacolli: Mos rrini duarkryq, dilni votoni

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli votoi në shkollën fillore “Shkëndija”, në Hajvali prej ku bëri thirrje që qytetarët të mos rrinë duarkryq, por të dalin të votojnë.

Sipas tij duke votuar krijohen kushte të mira dhe dinjitoze për jetë.

“Sot është një ditë e mbarë duke edhe koha është e mirë një fillim i mirë kisha dashur që qytetarët e Kosovës çdo kund ku gjenden të mundohen dhe të shkojnë tek vendvotimi dhe të votojnë mos të rrinë duarkryq dhe me prit prej ardhmërisë. Ardhmëria është në duart tona ne me votën tonë krijojmë kushte më të mira kushte demokratike, kushte dinjitoze për jetë. Prandaj, vota është e rëndësishme dhe ftoj qytetarët masovisht të dalin dhe te votojnë”, tha ai.

17/10/2021 11:04-Voton Mehmeti, u bën thirrje qytetarëve të dalin të votojnë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AKR, Gëzim Mehmeti ka votuar në Qendrën e votimit “Pjetër Bogdani”, ku i bëri thirrje qytetarëve të Prishtinës të dalin të votojnë masovikisht në këto zgjedhje, pasi siç tha ai Prishtina meriton gëzim.

Ai tha se vota është e shenjtë dhe demokratike.

“Sot shfrytëzova të drejtën time për të votuar. I lusim të gjithë qytetarët e Prishtinës që të dalin masovisht të votojnë dhe të bëjnë zgjidhje që do të jetë zëri i tyre, zë i fuqisë së tyre për t’i zgjidhur problemet e qytetit. Të votojnë më të mirin që ata mendojnë. Vota është e shenjtë dhe demokratike. Prishtina meriton gëzim, Prishtina, shpresojmë se do të jetë ditë e suksesshme. I lus qytetarët e Prishtinës që të dalin masovisht ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike”, tha Mehmeti.

17/10/2021 10:23-Voton Kurti, zotohet se do të punojë në fuqizimin e komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur votën e tij.

Kurti ka thënë se si qytetar i Kosovës ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar, transmeton Telegrafi.

“Si qytetar i Republikës posa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira. Qytetarët në Kosovë sot vendosin se kush do të vendos, përcaktohet se kush do të jenë udhëheqësit e tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë moment demokracie”, tha Kurti para mediave.

Gjithashtu, Kurti u zotua që së bashku me Qeverinë do të punojë në fuqizimin e komunave.

"Si kryeministër unë bashkë me qeverinë tonë do të punojë në fuqizimin komunave. 4 vite të mbara, të mira i presin qytetarët anekënd Kosovës ku ata jetojnë dhe punojnë”, deklaroi ai.

17/10/2021 10:11-Abdixhiku voton: Sot vendimmarrja i kthehet qytetarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se ushtroi të drejtën bazike për votë, në këtë ditë ku vendimmarrja i kthehet qytetarëve.

Abdixhiku i shoqëruar nga bashkëshortja e tij tha se nuk ka gjë më të bukur se kur qytetarët vendosin për të ardhmen tyre.

“Sot është natyrisht festë sepse vendimmarrja i kthehet qytetarëve tanë dhe nuk ka gjë më të bukur se kur qytetarët vendosin për të ardhmen tyre”, tha ai.

17/10/2021 10:07-Voton kryetari i PDK-së: Shpresoj për një ditë të mirë, ku fituese do të jetë demokracia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka hedhur sot votën e tij në zgjedhjet lokale që po mbahen në Kosovë.

Krasniqi i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij tha se kjo votë bëhet si qytetar i Prishtinës që e dëshiron më të mirën për vendin e tij, për qytetin e tij.

“Shpresoj se të gjithë qytetarët anembanë Kosovës do të ushtrojnë të drejtën demokratike për të zgjedhur kandidatët më të mirë, atë që qytetarët besojnë”, tha ai.

Krasniqi tha se pjesëmarrja e madhe në votime është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik.

17/10/2021 09:57-Arrestohen katër persona në Kllokot për blerje të votës

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se mbrëmë më 16 tetor 2021 në orët e vona, janë arrestuar katër persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., në lidhje me procesin zgjedhor dhe me këtë dyshohet se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

17/10/2021 09:41-Voton Uran Ismaili: Pres me padurim rezultatin

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka hedhur votën e tij.

Ismaili pasi ka votuar ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në votime.

“Falënderoj qytetarët që më ofruan mbështetje në rrugëtimin tonë të përbashkët,e pres me padurim rezultatin e garës në Prishtinë. Është datë më rëndësi, ftoj të gjithë të dalin në votime”, deklaroi ai para mediave.

Ismaili gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00, dhe qytetarët kanë të drejtë të votojnë deri në ora 19:00.

17/10/2021 09:19-Voton Arben Vitia

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka votuar para pak çastesh.

Vitia pasi ka votuar, ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në votime.

“Sot flasin qytetarët, është e rëndësishme që qytetarët të zgjedhin atë që mendojnë. Ftoj qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje, falënderoj të gjitha ata që organizuan zgjedhjet...”, tha ai para mediave.

Gjatë votimit, Vitia ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

17/10/2021 09:11-Presidentja Osmani: Ta dëshmojmë shpirtin demokratik, të votojmë për kualitetin e jetës në komuna

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në ditën e zgjedhjeve lokale ka thënë se qytetarët sot votojnë për kualitetin e jetës në komuna.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se shpreson se sërish do të dëshmohet shpirti demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19.

“Mirëmëngjesi Kosovë!

Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19.

I priftë e mbara Republikës sonë”, shkruan Osmani.

17/10/2021 09:07-Haradinaj: Dilni votoni, mos e leni votën në shtëpi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka votuar para pak çastesh.

Haradinaj pasi ka hedhur votën e tij, bëri thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

“Unë votova, qeverisja komunale është mjaftë e rëndësishme. Dilni votoni, mos e leni voton në shtëpi”, ka thënë ai.

Haradinaj gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Anita.

17/10/2021 09:00-Zgjedhjet lokale, këtu mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit

Në Kosovë janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale 2021, ndërkaq në ora 07:00 në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit.

Në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Qytetarët mund ta gjejnë qendrën e votimit duke klikuar KËTU

17/10/2021 08:58-DnV: Gjithçka gati për votim të rregullt e të sigurt

Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 110 vëzhgues nëpër qendra të votimit në nivel vendi

Në njoftim thuhet se 80% e Qendrave të Votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100m nga QV.

Sipas vëzhgueseve, 96% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 95% të QV në nivel vendi.

Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 95% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 50%.

Siguria e procesit zgjedhor është duke u garantuar nga Policia e Kosovës, e cila është prezentë në hyrje të pothuajse të gjitha Qendrave të Votimit.

17/10/2021 08:14-KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e vendvotimit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në konferencën e parë për media të KQZ-së për sot tha se të gjitha qendrat e vendvotimit janë hapur me kohë në të tërë Kosovën.

Ai tha se deri më tani nuk është raportuar ndonjë parregullsi.

Zëdhënësi i KQZ ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Me qëllim të informimit, KQZ do të mbajë disa konferenca.

Konferenca e radhës është në ora 11:30, 15:30 dhe 19:30.

17/10/2021 07:46-Hapen me kohë qendrat më të mëdha të votimit

Qendrat më të mëdha të votimit janë hapur me kohë në shumicën e komunave të Kosovës.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave. Në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

17/10/2021 07:19-Voton kryetari i KQZ-së, bën thirrje për proces të qetë zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar sot në orët e hershme të mëngjesit, me t’u hapur qendra e votimit në Pejë në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”.

Radoniqi ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa tha se qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në 19:00.

“Unë dhe bashkëshortja ime e  shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar... Qendra e votimit është hapur dhe janë të hapura deri në ora 19:00. Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe të votojnë. Dua të bëj thirrje edhe partive politike edhe këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.

Ai tha se janë të përgatitur që të dalin me rezultatet preliminare të zgjedhjeve në orët e vona.

“Jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, por nëse mbetet diçka atëherë nesër. Stafi do të punojë 24 orë”, tha ai.

17/10/2021 06:50-Mbi 3 mijë policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë në mbrojtje të votës  

Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

E për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve do të ketë bashkëpunim ndërinstitucional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se për katër muaj ky institucion ka përgatitur këtë proces për mbajtjen e zgjedhjeve, raporton Telegrafi.

Laura Pula nga Prokuroria e shtetit në një konferencë për media ka thënë se kanë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë.

“Mision është mbrojtja e votës së qytetarit”, tha ai. Kemi 80 prokurorë kujdestar në 38 komunat e Kosovës. Nëse do të ketë keqpërdorim të votës, prokuroria dhe policia do të ndalojnë dhe arrestojnë qytetarët, por edhe ata që mundësojnë këtë”, ishte shprehur ajo.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se policia ka krijuar urdhër Planin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv.

Ai ka thënë se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 3,552 zyrtarë policorë.

Ndërsa, edhe KGJK ka 35 gjyqtarë kujdestar në nivel vendi në ditën e zgjedhjeve.