Kosova synon t’i nis me fitore parakualifikimet për “Eurobasket 2029” ndaj Shqipërisë

Aktivitetet sportive të Ditës së Flamurit këtë vit pasurohen edhe me një takim historik në basketboll. Shqipëria dhe Kosova përballen të dielën nga ora 18:00 në Shkodër, në një duel të vlefshëm për raundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.
Për Kosovën është ndeshja e parë në këtë cikël, ndërsa Shqipëria vjen pas humbjes 73:63 në Prievidza ndaj Sllovakisë të enjten mbrëma. Këto tri përfaqësuese formojnë Grupin C.
Edhe pse kombëtaret shqiptare janë ndeshur shpesh në miqësore dhe takime festive, kjo është hera e parë që ato përballen në një ndeshje zyrtare eliminatore. Basketbolli në Kosovë vlerësohet në nivel më të lartë dhe “Dardanët” shihen si favorit, por përballja pritet të jetë mjaft interesante dhe emocionale.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, ka folur me emocione për këtë moment të veçantë.
“Fanella e Kosovës për mua është privilegj, nder, përgjegjësi. Prej fillimit isha pjesë, prej kur u pranua Kosova në FIBA. Jam krenar që mund ta përfaqësoj Kosovën në çdo kompeticion që merr pjesë. Loja e parë është me Shqipërinë, është vëllazërore, por rivaliteti do të jetë në parket. Shpresoj që në Shkodër, që njihet si qytet i kulturës dhe i sportit, do të mbushet salla dhe do të jetë një atmosferë shumë e mirë”.
Një tjetër veteran i rëndësishëm, Drilon Hajrizi, ka shtuar: “Kam shumë lojë të zhvilluara si lojtar profesionist, por normal që gjithmonë lojërat më të veçanta kanë qenë në fanellën e reprezentacionit të Kosovës. I ftojë të gjithë që të jenë prezent që ta kemi një ndeshje vëllazërore për festat e nëntorit, që me të vërtetë është një festë e madhe për të gjithë shqiptarët”.
Kosova është grumbulluar në fillim të javës në Prizren dhe basketbollistët kanë punuar nën urdhërat e përzgjedhësit të ri, Bujar Loci.
Megjithëse liga kosovare vazhdimisht vlerësohet cilësore dhe interesante, përfaqësueses i kanë munguar sukseset në arenën ndërkombëtare. Në kohën kur shumica e kombëtareve evropiane garojnë për Botërorin 2027, Kosova e Shqipëria nisin rrugëtimin e tyre në parakualifikimet e Eurobasket 2029.
Pjesëmarrëse në këtë fazë janë edhe Maqedonia e Veriut, Luksemburgu, Irlanda, Azerbajxhani, Bullgaria, Armenia dhe Norvegjia. Asnjë prej këtyre nuk konsiderohet të ketë ligë aq cilësore sa ajo e Kosovës, çka i jep përfaqësueses kosovare një bazë solide konkurruese për këtë cikël./Telegrafi



















































