Kosova stabile financiarisht, nuk ka nevojë për hua nga FMN-ja (Video)
Aktualisht Kosova, respektivisht Qeveria e Kosovës nuk është në ndonjë program me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), por kjo nuk do të thotë se qeveria e duhet të jetë e kujdesshme me shpenzime.
Ministri i Financave Bedri Hamza në një intervistë për Telegrafin ka thënë se raportet me Misionin e FMN-së janë korrekte, profesionale dhe institucionale.
"Nuk kemi program me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por jemi të obliguar që në bazën të ligjit të jemi të kujdesëm. Ka përfunduar programi dhe nuk e kemi paraparë që këtë vit ta vazhdojmë ndonjë program me FMN-ën, të marrim para hua, pasi që kemi një stabilitet makrofiskal dhe kjo ka mundësuar që të ecim dhe të disiplinohemi", tha ai.
Kosova sipas Hamzës, duhet të rritet dhe të jetë përgjegjës për qëndrueshmërinë e vet fiskale.
"Duhet të jemi të disiplinuar dhe normalisht Fondi Monetar Ndërkombëtar është një institucion shumë i përgatitur, ka rekomandime, ka propozime shumë të vlefshme, por ka dhe kritika dhe duhet mirëkuptuar këto", tha ai.
Ministri i Financave Bedri Hamza, tha se kanë arritur që të kenë qëndrime të përbashkëta sa i përket indikatorëve makroekonomik.
"Sa i përket rritjes ekonomike, inflacionit, qëndrueshmërisë makrofiskale kemi qëndrime identike, por në përgjithësi janë shumë të ngjashme. Kosova ka qëndrueshmëri makrofiskale por kjo nuk jep komoditetin të bëjmë veprime ad-hoc pa planifikuar mirë dhe me kosto të lartë", tha ai.
"Pra, me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi me qëndrime të përafërta, sidomos te fatura e çështjeve sociale dhe duhet t’i trajtojmë këto sipas mundësive tona dhe jo në përputhje me kërkesat. Nëse rritet fatura e kostove sociale kjo atëherë do të jetë një problem permanent për buxhetin, prandaj Ministria e Financave dhe FMN duhet të jenë të kujdesshëm në shpenzime rrjedhëse dhe me vendimet ad-hoc", ka thënë ministri i Financave Bedri Hamza. /Telegrafi/





























