Kosova shumë shpejtë me skemë për garantimin e kredive

Madje, Kosova po punon që me një grup donatorësh të lançohet një skemë për garantim të kredive, me vlerë prej afër 12 milionë eurosh.
Sa i përket projektit për mbështetje të NMVM, u konsiderua se kontribuon për rritjen ekonomike dhe për zhvillimin e sektorit privat dhe eksportit, duke përmirësuar konkurrencën e ndërmarrjeve që veprojnë në nivelin lokal dhe forcimin e bazës së tyre të prodhimit, si dhe gatishmërinë e tyre për eksport.
‘E nëpërmjet përmirësimit të sektorit privat, mund zgjidhet edhe problemi i punësimit, i cili sot është faktori më i ndjeshëm’. Kështu u tha nga zyrtarët e zyrës së BE-së në Kosovë, të MTI-së si dhe të IOM-it, ku dhe bënë thirrjen e hapur për projekt propozimet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Shefi i zyrës së KE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se është hera e parë, që po implementohet një projekt i dedikuar vetëm për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. “Ne kemi filluar te implemenojmë një skeme te granteve me një kontribut te madh nga ana e MTI-së. Kështu që 25 për qind e gjithë skemës vjen nga buxheti i ministrisë, nga 4 milion, 1 milion financohet nga ministria, por në anën tjetër, një mundësi unike, sepse ne asnjëherë nuk kemi pasur një sistem apo skemë të granteve të dedikuar vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, natyrisht ne kemi pasur EURED dhe te tjera, por jo shumë specifike sikur këto të fundit”, ka thënë Stock.
Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, vlerëson se shumica e barrierave tregtare që kanë ekzistuar në Kosovë, janë tejkaluar gjatë viteve të fundit. Mirëpo sipas tij, sfida tani për Qeverinë dhe për sektorin privat, është ndërtimi i një sektori privat i cili do të jetë më konkurrues në treg si dhe të sigurohet kualiteti dhe programe që e përkrahin një kualitet më të mirë.
“Kjo është hera e parë që Qeveria e Kosovës përmes ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë merrë pjesë në një program të tillë, ne shpresojmë që varësisht nga suksesi i kësaj skeme të vazhdojmë me programe të tilla. Përveç kësaj skeme kemi iniciativa të tjera që në mënyrë të veçantë i adresojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në mënyrë të veçantë i adresojnë sfidat në të cilat ballafaqohen këto ndërmarrje në një ambient të biznesit siç është ky i Kosovës. Ne jemi duke punuar me një grup të donatorëve që të linçojmë një skemë të garantimit të kredive me vlerë prej afër 12 milion eurosh e cila ka për qëllim që prapë të lehtësojë qasjen në financa”, tha Nikaj.
Jorge Baca, shef i misionit të organizatës ndërkombëtare për migrim në Kosovë, tha se sektori privat mund ta zgjedh problemin e punësimit.
Vlera e granteve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, arrijnë nga 60 mijë euro e deri në 200 mijë euro maksimumi. Kurse vlera e granteve për ndërmarrjet mikro, minimumi është 10 mijë euro dhe maksimumi deri në 25 mijë euro. /Telegrafi/





















































