Kosova shumë larg OBT-së

Zëdhënësja e MTI-së Arta Istrefi tha për Telegrafin se Kosova është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë e aplikimit për anëtarësim në OBT. Mos anëtarësimi sipas saj, është për shkak të vështirësive që kanë sjellë pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me institucionet tjera qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë është duke shqyrtuar të gjitha modalitetet e aplikimit për anëtarësim në OBT. Ne jemi duke e konsideruar çështjen e aplikimit si vëzhgues në OBT për këtë vit dhe nevojitet paraprakisht të merret vendim politik për shkak të natyrës dhe problemeve që mund të shfaqen me rastin e aplikimit. Sa i përket periudhës së sa ky proces mund të zgjat ne nuk mund të japim një datë apo kohë të caktuar marrë parasysh që rastet paraprake të anëtarësimit në OBT kanë zgjatur deri në shtatë vjet”, tha Istrefi.
Përparësitë e anëtarësimit të Kosovës në OBT sipas zëdhënëses së MTI-së Arta Istrefi janë të shumta siç është familjarizimi me këtë organizatë dhe marrëveshjet e saj. “Përgatitja për hyrjen e mundshme që nënkupton dhënien e udhëzuesit e cila mund të ipet për 5 vjet, mundësia e pjesëmarrjes në takimet e OBT-së me qëllim të shqyrtimit të çështjeve kombëtare, pjesëmarrja në trajnime dhe programe për ngritje të kapaciteteve si dhe mundësi të njohjeve të reja për Kosovën”, theksoi zëdhënësja Istrefi. /Telegrafi/




















































