Site icon Telegrafi

​Kosova më pak nxënës dhe studentë sesa një vit më parë, rritet interesimi për t’u shkolluar në sektorin privat

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka publikuar të premten Statistikat e Arsimit për vitin shkollor 2022/2023.

Sipas ASK-së, është shënuar rënie e lehtë e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor.

Lexo po ashtu GAP: Në 13 vitet e fundit, numri i nxënësve në shkolla ka rënë për mbi 30 për qind

“Numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor për vitin shkollor 2022/2023 ishte 30 mijë e 996, ku krahasuar me vitin paraprak (2021/2022) që ishte 32 mijë e 397 fëmijë, kishte një rënie të lehtë prej 1 mijë e 401 fëmijë”, thuhet në statistika.

“Në sektorin publik në vitin shkollor 2022/2023 ishin 24 3mijë e 66 fëmijë ose 78,6%, ndërsa në sektorin privat 6 mijë e 630 fëmijë ose 21,4%. Krahasuar me vitin paraprak (2021/2022) në sektorin publik ishin 24 mijë e 431 fëmijë ose 75.4% ndërsa në sektorin privat 7 mijë e 966 fëmijë ose 24,6%”.

Interesim më i madh në sektorin privat në vitin shkollor 2022/2023 krahasuar me 2021/2022

ASK-ja tutje ka bërë të ditur se numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në vitin shkollor 2022/2023 ishte 220 mijë e 578, prej tyre në sektorin publik ishin 212 mijë e 967 ose 96,5% dhe në sektorin privat 7 mijë e 611 ose 3,5%.

“Krahasuar me vitin shkollor (2021/2022) ku numri i nxënësve ishte 224 mijë e 429, prej tyre në sektorin publik ishin 217 mijë e 977ose 97,1%, ndërsa në sektorin privat 6 mijë e 452 ose 2,9%. Nga kjo mund të shohim se sektori publik ka një rënie të numrit të përgjithshëm, kurse sektori privat ka një rritje të lehtë të numrit të nxënësve krahasuar me vitin 2021/2022”, thuhet në raport.

Më pak nxënës të regjistruar në sektorin publik

Sipas agjencisë, numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë në vitin 2022/2023 ishte 67 mijë e 373, prej tyre në sektorin publik 63 mijë e 29, ose 93,6%, ndërsa në sektorin privat ishin 4 mijë e 344 nxënës ose 6,4%.

“Krahasuar me vitin paraprak 2021/2022 (që ishin 70 mijë e 850 nxënës, në sektorin publik 67 mijë e 138 ose 94,8% dhe në sektorin privat 3 mijë e 712 ose 5,3% ), ka rënie të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Rënie më e madhe vërehet te sektori publik krahasuar me sektorin privat”, thuhet tutje.

Rënie e numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë

ASK-ja gjithashtu ka thënë se numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin e lartë në vitin 2022/2023 ishte 71 mijë e 948, prej tyre në universitetet publike 40 mijë e 996 studentë, ose 57,0%, ndërsa në kolegjet private ishte 30 mijë e 952 studentë, ose 43,0%.

“Krahasuar me vitin paraprak 2021/2022 (që ishin 82 389 studentë, prej tyre në universitetet publike 50 188 studentë, ose shprehur në përqindje 60,9%, ndërsa në kolegjet private ishte 32 201 studentë, ose 39,1%, ka rënie të numrit të përgjithshëm të studentëve”./Telegrafi/

 

Exit mobile version