Site icon Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria me hapa konkret për unifikimin e diasporës shqiptare

Zëvëndësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Liza Gashi, ka zhvilluar një takim virtual me zëvendësministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Artemis Malo.

Gashi është shprehur e lumtur që komunikimi dhe bashkëpunimi konkret mes dy ministrive shqiptare është intensifikuar dukshëm, si dhe ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë punën për implementimin e disa marrëveshjeve.

“Marrëveshjet në fushën e Diasporës midis dy shteteve kanë shërbyer si një hap cilësor në këtë drejtim. Së fundmi është rritur angazhimi për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të realizimit të synimeve afatgjata të Deklaratës për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, por se duhet të jemi edhe me të përkushtuar për të adresuar potencialin e mërgatës”, është shprehur zëvendësministrja Gashi.

Duke përmendur fillimin e dialogut me mërgatën, që ministrja Gërvalla dhe zëvendësministrja Gashi e kanë realizuar tashmë në disa qendra në Evropë, Gashi me theks të veçantë ka nënvizuar përgatitjen e një plani të veprimit të përbashkët, që do të përfshinte edhe organizimin e përbashkët të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Diasporë.

“Promovimi i zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës dhe produkteve vendore, është shumë e rëndësishme që të bëhen bashkërisht nga të dy ministritë”, është shprehur Gashi.

Zëvendësministrja Malo, është shprehur e gatshme për bashkëpunim dhe hapa konkret në mënyrë që sidomos diaspora shqiptare të unifikohet.

Gashi duke u zotuar për një bashkëpunim në të mirë të mëgatës shqiptare nëpër botë, ka informuar Malon edhe për krijimin e Departamentit të veçantë për diasporën brenda Ministrisë, si dhe programin e followship që do të nis shpejt të implementohet, e që u mundëson të rinjve nga diaspora të angazhohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës./Telegrafi/

 

Exit mobile version