Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje të jashtëzakonshme me drejtorët e të gjitha shkollave

Pas zhvillimeve të fundit në Komunën e Vushtrrisë, Drejtoria Komunale e Arsimit ka ndërmarrë hapa konkret për të forcuar masat e sigurisë dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor.
Në këtë kuadër, është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme me të gjithë drejtorët e shkollave të Komunës së Vushtrrisë, ku u diskutuan hapat urgjentë që do të ndërmerren në çdo institucion arsimor, shkruan Telegrafi.
Fokus i veçantë i’u kushtua parandalimit të dukurive shqetësuese, rritjes së bashkëpunimit me prindërit, si dhe forcimit të komunikimit ndërmjet shkollave, policisë dhe institucioneve tjera relevante.
“Drejtori i DKA-së Albanez Tahiraj, theksoi rëndësinë që ka reagimi i përbashkët dhe i menjëhershëm në situata të tilla, duke kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë akterët relevantë”, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje, u rekomanduan të ndërmerren këto masa:
- Të rritet numri i patrullimeve në shkolla dhe përreth tyre nga policia, për të ofruar siguri më të madhe.
- Të organizohen mbledhjet urgjente me prindër nëpër të gjitha shkollat.
- Të ndalohet pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike, Vape dhe forma tjera që përmbajnë substanca të dëmshme për shëndetin.
- Të ndryshohet orari i pushimit të gjatë për të dy shkollat (“Lutfi Musiqi dhe Bahri Haxha”) pasi që deri më tani kanë pasur pushimin e gjatë në orar të njëjtë.
- Bartja e uniformave shkollore janë obligative për të gjithë nxënësit gjatë orarit mësimor.
- Të respektohet në tërësi Vendimi nr 1206/24 i datës 10.12.2024 nga Drejtori i DKA-së, për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë nga nxënësit gjatë procesit mësimor.
“DKA-ja në bashkëpunim me menaxhmentet e shkollave, policinë, NPL "Përparimi" dhe akterë tjerë janë të përkushtuar për të ofruar siguri në shkollat tona, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të pastër. DKA-ja mbetet e përkushtuar për të vepruar me përgjegjësi të plotë, duke garantuar që shkollat tona të jenë vende të sigurta për fëmijët tanë dhe vende që frymëzojnë edukim e zhvillim të shëndetshëm”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/



















































