Komuna e Vitisë mbështet bletarët me 120 koshere dhe fletë dylli

Komuna e Vitisë, përmes Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka shpërndarë sot 120 koshere trekatshe për bletarët vitias që kishin aplikuar në thirrjen publike të komunës, përcjell Telegrafi.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit morën pjesë kryetari i komunës, Sokol Haliti, dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira.
Kryetari Haliti theksoi se përkrahja e fermerëve dhe bletarëve është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të komunës për zhvillimin rural dhe krijimin e mundësive të reja për të ardhura në fshatra. Ai nënvizoi se mbështetja për bletarët do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synim zgjerimin e numrit të përfituesve.
Ndërkaq, drejtori Pira falënderoi kryetarin Haliti për mundësimin e këtij projekti, duke bërë të ditur se përveç 120 koshereve trekatshe, janë shpërndarë edhe rreth 1,200 kilogramë fletë dylli që shërben si ushqim për bletët.
Vlera totale e projektit është rreth 13 mijë euro, ndërsa nga kjo mbështetje kanë përfituar 47 bletarë të komunës së Vitisë. /Telegrafi/

















































