Për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, janë bërë homazhe tek kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz nga delegacioni i Komunës së Skenderajt.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, kryesuesja e Kuvendit Komunal Adelina Spahiu, së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e të tjerë, i bënë këto homazhe duke shprehur mirënjohjen për të rënët e Jasharëve, shkruan Telegrafi.
“Për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, homazh përkujtimor është bërë edhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Morinë, ku edhe janë vendosur kurora me lule të freskëta te monumenti i dëshmorëve. Ndërkohë në fshatin Açarevë gjatë ditës është bërë zbulimi i pllakës ‘Shkëmbi i pathyeshëm’ në nderim të rënies së dëshmorit Smail Selim Kodra”, thuhet në njoftim.
Tutje janë organizuar edhe aktivitete të tjera sportive, në palestrën sportive “Ilaz Kodra” janë zhvilluar garat sportive në futboll. /Telegrafi/