Komuna e Prishtinës njoftoi se nesër do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.

Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyrë më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.


“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, për shkak të vërshimeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.

Ndërkaq, drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë tha se ka vendosur që ta shtyjë rinisjen e mësimit deri më 19 janar.

Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi/