Koleksioni më i çuditshëm i makinave në botë përfshin më shumë se 200 automjete, duke filluar nga një tapet mbi rrota dhe një Humvee gjigante deri te një MPV amfib. Sheiku Hamad bin Hamdan, i njohur gjithashtu si “Sheiku i Ylberit”, është një anëtar i Familjes Sunduese të Abu Dhabit.
Mësohet se ai ka shtatë Mercedes 500 SEL të lyer me ngjyra të ndryshme të ylberit të cilat i ruan në një piramidë gjigante. Shehu arab ka një shije për të bërë gjëra në një shkallë të gjerë. Ai ndërtoi kamionin më të madh në botë, tetë herë më të madh se Dodge Power Wagon, me katër dhoma gjumi brenda kabinës.
Hamad konstruktoi një shtëpi motorike në një formë të një globi gjigant që është saktësisht 1 milionta e madhësisë së planetit të Tokës. Ai zotëron Hummer H1-shin më të madh në botë, me shkallë, një tualet me lavaman dhe një hapësirë për mysafirë me një pamje 360 gradë të shtrirë në dy kate, shkruan Daily Mail, transmeton Telegrafi.
Vetura gjigante ka një lartësi prej 6.6 metrave, gjatësi prej 14 metrave dhe gjerësi prej 6 metrave, dhe ka funksion të plotë të vozitjes. E ndërtuar në kornizën e veturës amfibe të ngarkesave LARC-LX të Ushtrisë Amerikane, ai funksionon me katër motorë me naftë – një për secilën rrotë.
Hamad së fundmi u pa duke vozitur një Mercedes W128, veturë kjo e modifikuar me rrota të kamionçinave “monster”.
Krahas shfaqjeve të tij të pasura të pasurisë, ai është bërë një filantrop i njohur në mjekësi. Ai furnizoi një pavijon të plotë operacioni për gurë në veshka në një spital publik në Marok, ku ai vazhdon të financojë stafin e tij.
Koleksioni i tij i veturave përfshin gjithashtu disa Mini Cooper të cilësisë së mirë dhe kopje të Benz Patent Motorwagens të vitit 1885.
Pasuria e tij personale thuhet se pothuajse rivalizon atë të mbretit saudit me një vlerë neto të vlerësuar në 18,4 miliardë euro (20 miliardë dollarë). Paratë e Hamadit dyshohet se vijnë nga kontrolli i familjes së tij mbi depozitat e naftës në Abu Dhabi.
Në vitin 2011 ai u kërkoi punëtorëve që të gdhendnin emrin e tij në ishullin e tij privat në Emiratet e Bashkuara Arabe të quajtur Al Futaisi, duke formuar rrugë ujore në rërë. /Telegrafi/