Koha ta emancipojmë mashkullin
Shoqëria në Kosovë vuan nga shumë probleme, ballafaqimi me të cilat gjithnjë është shtyrë për arsye të ndryshme, të shtypjes së jashtme, të statusit të pazgjidhur, të pakos së Ahtisarit, etj. Ne që e kemi firmosur këtë artikull mendojmë se ka ardhur koha që si shoqëri ta adresojmë seriozisht një problem madhor që mendojmë se është skajuar mbas derës: pabarazinë e theksuar mes meshkujve dhe femrave.
Shoqëria kosovare pas luftës i ka ndërmarrë disa hapa fillorë për ta adresuar këtë problem. Me nismën e ndërkombëtarëve dhe te Rrjetit te Grave te Kosoves, parlamenti kosovar duhet t’i ketë të kuotuara 30% femra. Poashtu, dhuna e meshkujve kundër femrave është debatuar botërisht, ndonëse e maskuar nën termin neutral gjinor “dhunë familjare” (“familja” nuk ushtron dhunë: pothuajse 4/5 e “dhunës familjare” ushtrohet nga meshkujt kundër femrave; kundërdhuna femërore është pothuajse pa përjashtim reagim afektive ndaj dhunës sistematike dhe afatgjatë të mashkullit).
Natyrisht, ne mendojmë se kjo është tepër pak dhe, para së gjithash, e pamjaftueshme në raport me shkallën e problemit. Kosova vazhdon të jetë njollë e zezë në hartën e Evropës sa i përket pabarazisë gjinore. “Gratë dhe burrat në Kosovë”, një dokument zyrtar i botuar në mars 2009 nga Enti i Statistikës së Kosovës, e jep një përshkrim sa të saktë, aq edhe rrëqethës, për privilegjet e meshkujve në Kosovë.
Rrëza e problemit qëndron në privilegjin e meshkujve në ekonomi, meqë ky e kushtëzon tërë jetën shoqërore kosovare. Dy pika janë jetike në këtë mes. E para, në vitin 2007, meshkujt rezultojnë pronarë të 92.23% të pronësisë private në Kosovë. Dhe e dyta, nga totali i të hyrave në amvisëritë kosovare, gjithsejt 93.6% u shkojnë meshkujve. Është fjala, pra, për një privilegj ekskluziv, pothuajse kastor, mbi ekonominë amvisnore, që flet më qartë se sa p.sh. diferenca 16% në shkallë të përgjithshme të punësimit. Më e keqja është se ky trend po shkon drejt përkeqësimit, falë vendimeve të politikës në njërën anë, e instrumenteve të pazhvilluara të tregut në anën tjetër. Kështu p.sh., qeveria së voni i ka ngritur taksat në pronën private, duke dekurajuar kështu edhe më fort femrat nga të drejtat e veta trashëgimore. Ndërsa, sipas një raporti aktual në Kuvendin e Kosovës, mëse 98% e kredive financiare gjatë vitit 2008 u janë dhënë meshkujve!
S’do mend se ky privilegj mashkullor mbi pasurinë kushtëzon edhe privilegjet tjera në pothuajse të gjitha lëmitë e jetës. Kësisoj, meshkujt janë tri herë – 300%! – më të privilegjuar se femrat sa i përket nivelit të analfabetizmit, diferencë kjo skandaloze dhe pakë a shumë konstante tash e 10 vjet rresht. Diferenca gjinore sa vjen e rritet me shkallën e arsimit, e kulminon në studime pasuniversitare, ku meshkujt i okupojnë 63% të magjistraturave dhe 89% të doktoraturave. Edhe personeli arsimor e pasqyron këtë raport, në fillore mësimdhënësit meshkuj janë 60%, në të mesmet 70%, e në universitete mëse 73%. Pasojat dihen. Diferenca në arsim ushtron ndikim mbi tregun e punës, që ushtron ndikim mbi raportet e pasurisë familjare, që ndikon sërish në parakushtet për arsim. Privilegjet mashkullore në Kosovë ngjajnë në një perpetuum mobile qëllimkeqe, të konstruktuar enkas si kurth për femrën.
Femra kosovare s’ka ku të ankohet kundër këtij kurthi, meqë gjyqësori është pronë mashkullore me 73% meshkuj. Edhe institucionet publike, që duhet ta promovojnë barazinë mes qytetarëve, qëndrojnë mozomëkeq. Ligjvënësi i kuotuar gjinor është rrëzuar para vijës së finishit, me vetëm 29% femra. E, po ta shikosh strukturimin e brendshëm të tij (8 nga 10 komisionet parlamentare udhëhiqen nga meshkuj; kryesia e kuvendit janë tetë meshkuj dhe zero femra), del se ligjvënësi ka mbetur odë burrash. Në nivelin vendor, ku merren vendimet me ndikim më të drejtpërdrejtë rreth raporteve pasurore të amvisërive (kontratat e pronësisë etj), oda e burrave shndërrohet në llogor të meshkujve, me 72–78%. Edhe rrethi i tretë i pushtetit, implementimi i ligjit, është domen mashkullor: meshkujt okupojnë 64% të vendeve të punës ndër institucione publike; e në nivelin më të lartë, atë të vendimmarrjes, meshkujt gëzojnë pushtet pothuajse ekskluziv me 78%! Në poste menaxhuese, madje 84% janë meshkuj. Me fjalë tjera, meshkujt janë vetë vali, vetë kadi në tërë jetën shoqërore!
Ne besojmë se privilegjet mashkullore në Kosovë ndërlidhen fuqishëm me mendësinë e skaduar patriarkale. Kjo mendësi operon me një perspektivë organike jokritike, që e krahason jetën shoqërore me trupin e individit. Ky krahasim i dehumanizon njerëzit, e i ingranon në funksione organike të ndara qartë, gjithnjë sipas shembëlltyrës së organeve jokoshiente të trupit. Femra rëndom instrumentalizohet si bark, dmth si lindëse dhe kujdestare fëmijësh. Mashkulli e femra shikohen si esencialisht të ndryshëm e, prandaj, me vlerë të ndryshme: mashkulli, natyrisht, ka vlerë më të lartë: ai është “koka e familjes”, “shtylla e shtëpisë”, etj. Femrës i atribuohet vetëm tipari i dhënies, e jo ai i marrjes, apo i relacionit reciprok me burrin, me fëmijët, e me shoqërinë. Nga ajo kërkohet të jetë gjithmonë e gatshme të japë, si p.sh. t’i ushqejë e edukoje fëmijët etj. por jo edhe të kërkojë çfarëdo satisfakcioni tjetër: ky konsiderohet i arritur me vetë aktin e dhënies!
Besimin se qenia ka funksion në vetvete, të predestinuar në një mënyrë a tjetër, si dhe esencë të adaptuar për atë funksion, filozofët i quanin dikur “esencializëm natyralist”. Sot, shumica syresh i quajnë gjepura. Njeriu s’krahasohet dot me një organ jokoshient; as shoqëria njerëzore me trupin e një individi. Dhe, kush beson sot me gjithë mend në idenë patriarkale se tiparet dhe talentet e shpirtit të njeriut pushuakan në – gjenitale!?
Mjerisht, shumëkush! Shumica meshkuj, por edhe femra që e kanë përbrendësuar ideologjinë patriarkale (të a.q. “femra të mashkullzuara”). Dhe, ç’është më e keqja, ne kemi arsye të dyshojmë se pikërisht ky sistem besimi e mbështesin pa rezerva edhe politika, gjyqësori, si dhe institucionet publike të vendit. Ekzaminimi i fakteve nga Enti Statistikor s’na lë hapësirë për ndonjë shpjegim alternativ. Tekefundit, ç’të gjykojë tjetër njeriu për një qeveri me 17 meshkuj ministra nga 19 sa janë gjithsejt?!
E pra, ky është një keqadministrim serioz, koston e të cilit e paguajmë të gjithë përditë. Në të gjitha raportet e veta vjetore qysh nga i pari, Banka Botërore (BB) ka theksuar vazhdimisht se diskriminimi mashkullor në Kosovë është problem i rëndë, që e çmobilizon ekonominë kosovare dhe ka kosto të lartë socio-ekonomike. Gjersa resurset e femrave të mbeten të kurthuara në grackën e patriarkatit, Kosova s’ka as gjasa teorike që t’i arrijë fqinjët përreth në garën e zhvillimit. Se çka do të thotë ky fakt për të ardhmen dhe sigurinë e vendit, këtë gjyko ti vetë.
Organizatat e huaja kanë promovuar disa programe për fuqizimin e grave në ndërmarrjet e vogla, pasi kjo ka evidencë shkencore si mënyra më efektive për ta këndellur një ambient ekonomik të pazhvilluar. Por qeveritë, si ajo qendrore ashtu edhe ato vendore, s’kanë ndërmarrë pothuajse kurrë një hap të tillë. Madje shumë gra, të vendosura t’i qasen sistemit për të kontribuar nga brenda, kanë hasur në sabotime nga kolegët partiakë. Si shembull, dy partitë më të mëdha, LDK e PDK, por edhe partitë tjera përvec ORA’s ende mbajnë forumet e grave. Asnjëra syresh nuk e ka definuar se pse: me çka konkretisht duhet të merren këto forume. Me çka u dashka te merren gratë, ndërsa burrat të merren me politikë?!
E pra, problemi rrezikon të rëndohet edhe më në të ardhmen. Në Kosovë janë shfaqur qysh tani parti me orientim fetar, ideologjia e të cilave është fund e krye patriarkale. Ato e kanë në rrëzë pikërisht besimin se njerëzit kanë ndryshime esenciale e funksione të predestinuara. Natyrisht, ato sajojnë politika që e pasqyrojnë këtë besim të tyre. Një shembull konkret është pushimi prindor, që në draftet tona quhet “pushim i lehonisë”, pra lidhet tekstualisht me femrën, thuajse vetëm femra është prind. Partia e Drejtësisë (PD), me orientim islamist, kërkon që ky pushim prindor të zgjatet gjer në një vit, por vetëm për femra, për ta flakur kësisoj femrën edhe më larg nga tregu i punës. Kjo në vend se p.sh. të kërkojë që pushimi prindor të ndahet, të paktën pjesa e vonë, me babain, e që shoqëria të investojë në çerdhe e kopshte të fëmijëve, për t’i çliruar resurset e femrës. Kjo nuk është e rastit, po pse njerëzit në PD besojnë – ashtu si u thotë ideologjia e tyre – se edukimi i fëmijës është detyrë esencialisht femërore. Për femrën kosovare, që vuan pikërisht shkaku i kësaj ideologjie, ngritja e këtyre partive është gur mbi barrë!
Ne mendojmë se ka ardhur koha që ne si shoqëri t’i themi mjaft diskriminimit mashkullor. Sepse është i padrejtë; sepse na korit si njollë të zezë në Evropë; sepse na e rrezikon të ardhmen; e sepse, në instancë të fundit, krijon një shoqëri të individëve të palumtur, qofshin ata meshkuj a femra, që janë të frustruar nga funksione të imponuara.
Këtë s’mund t’ua kërkojmë ndërkombëtarëve, pjesërisht pse nuk është hise e tyre, e pjesërisht pse ata vetë janë të implikuar. Që prej ardhjes së vet në Kosovë, prania ndërkombëtare nuk ka shfaqur ambicie për ta ballafaquar seriozisht këtë gangrenë të shoqërisë. Madje përkundrazi: BB shkruan, se prania ndërkombëtare do fajësuar, pse e ka stimuluar një “ekonomi të shtrembër”. Kurse Amnesty International i fajëson fuqishëm ndërkombëtarët për tolerancë dhe për pjesëmarrje aktive si konsumues në trafikimin e femrave; një dukuri kjo që, si të thuash, e zbulon karakterin patriarkal të kësaj pranie.
Jo! Ndryshimi i shoqërisë sonë është detyrë e jona. Ne kërkojmë nga partitë politike që ta marrin përsipër përgjegjësinë e vet, e në zgjedhjet e ardhshme të kenë ambicien t’i nominojnë gjysmën e kandidatëve femra. Prej kandidatëve e kandidateve kërkojmë që para nesh të prezantojnë qartë se si synojnë ta luftojnë diskriminimin mashkullor, e sa duan të investojnë në arsimin dhe edukimin parashkollor.
Nga ligjvënësit kërkojmë që e drejta e femrës në trashëgimi të fortifikohet me një nen që thotë se dorëheqja e femrës nga pasuria të fitojë fuqi ligjore vetëm pas një bisede të detyrueshme sy më sy me një zyrtare komunale femër, të trajnuar në lëmin e barazisë gjinore.Qeveria duhet t’i rishikojë plan-veprimet rreth rritjes së barazisë gjinore në institucione, tekstin e drafteve ligjore, si dhe veprimin e instrumenteve të tregut financiar. Qeveria duhet të shpjegojë pse s’e respekton ekspertizën ekonomike, e cila thekson se projektet ekonomike për ndërmarrëse femra janë shumëfish më efektive. Po ashtu, e ftojmë qeverinë t’ia shpjegojë publikut diskriminimin e femrave në kabinet, si dhe mungesën e çuditshme të arsimit dhe edukimit parashkollor nga prioritetet e veta.
Nga institucionet publike kërkojmë që ta përmbushin detyrën e vet informative, duke i informuar femrat prej moshës 18 vjeç, me shkrim e me gojë, për të drejtën e tyre ligjore në trashëgimi. Nga institucionet arsimore, që të emancipojë së pari veten, e pastaj nxënësit e studentët e vet, e posaçërisht meshkujt, rreth pabarazisë gjinore.
Nga gjyqësori, kërkojmë që t’i prioritojë lëndët që e prekin diskriminimin mashkullor. Po ashtu, kërkojmë që të themelohet edhe institucioni i Ombudspersonit për Barazi Gjinore, me mandat gjithëpërfshirës në këtë lëmi. Deri sa të ndodh kjo, kërkojmë që Ombudspersoni i Kosovës të pajiset me mandat e resurse për ta ushtruar këtë funksion.
Nga shoqëria civile, kërkojmë që të debatohet hapur problemi i privilegjeve mashkullore. Një diskriminim kaq i vrazhdë dhe sistematik nuk bën më të ushtrohet në heshtje të konvenueshme, e përgjegjësit nuk bën më të ndjehen mirë, thujase s’po ndodh asgjë. Dhe një shoqëri civile që s’e adreson një gangrenë kaq serioze, s’ia vlen as emrin. Është koha që ne, si shoqëri civile e si intelektualë, ta konfrontojmë realitetin. Nëse problemi është te diskriminimi mashkullor, atëherë le ta adresojmë atë saktë: themi se ka ardhur koha që ta emancipojmë mashkullin në Kosovë.
Në këtë përpjekje, kemi njësoj nevojë si për femra feministe, ashtu edhe për meshkujt profeministë që e kanë kuptuar drejt karakterin e problemit. Le të punojmë tok së bashku për një të ardhme më të mirë të brezave të ardhshëm, djem e vajza pa dallim.
Nënshkrues:
Nora Ahmetaj, Dea Pallaska O'Shaughnessy, Arjeta Emra, Eli Krasniqi, Shqiptar Oseku, Ada Omeri, Adelina Kasumoviç, Adnan Abrashi, Adrijana Cvetkovska, Afërdita Mustafa-Xhemajli, Afrim Ismaili, Afrim Maliqi, Agim Krasniqi, Agim Kuleta, Agona Sallmani, Agron Mexhuani, Aida Gjonaj Duka, Aida Kastrati, Ajtene Zoni, Alban Spahiu, Alban Xhaferri, Albert Doci, Albin Gora, Albina Ziba, Albulena Jusufi, Alona Eltari, Ana Kulla, Andreas Zakos, Anisa Zeqiri, Antonio Goxha, Aranit Vokrri, Arbenita Domnika, Arbër Ismaili, Arber Raqa, Arbër Tahiri, Arbër Vokrri, Arbesa Muqaj, Arbresha Etemi, Ardi Danaj, Ardiana Gjini, Ardit Mekshiqi, Ardita Cukalla, Ardita Fetahu, Argjent Jahjai, Arjeta Asamataj, Arjeta Metaj Govori, Arlind Hasani, Arlind Oseku, Armend Hetemi, Armend Pollozhani, Arta Belegu, Arta Krasniqi Hasi, Arta Rexhepi, Arta Selmani, Arta Sherifi, Arta Skënderi, Arturo Çobaj, Atdhe Buja, Atdhe Rama, Avdi Islami, Avdije Xhemaili-Blakaj, Avni Klinaku, Azem Pacolli, Barbara Fatbardhi Kapo, Bekim Mehmeti, Bekim Zhushi, Beko Koldashi, Belinda Marku, Bena Beqiri, Besa Orana, Besa Selimi, Besarta Beluli, Besarta Etemi, Besarta Vasia, Besiana Hetemi, Besire Beluri, Betim Haziri, Betim Pallaska, Bleona Asani, Blerand Divintari, Blerim Abdiu, Blerim Begolli, Blerim Culaj, Blerim Maqastena, Blerina Qamili, Blerta Ahmeti, Blerta Xhemaili, Blond Kasami, Bujar M. Kokollari, Bujar Voca, Bukurie Cocaj, Burbuqe Godanci-Gjonbalaj, Burbuqe Këndusi-Këpuska, Burbuqe Xhemajli, Burhan Rahmani, Burim Baftiari, Burim Hadri, Burim Zulbeari, Dafina Ukella, Dali Alili, Dardan F. Koçani, Dardan Jashari, Dardane Basha, Davida Pertena, Devoll Oseku, Dimal Sadiku, Dina Sinani, Diturie Ramiqi, Donika Zejnullahu, Dorjan Sauli, Dragan Gjikondi, Dragobie Oseku, Drilon Halili, Drilona Qazimi, Drita Istrefi, Dushi Sasareli, Edberg Domi, Edison Mendez, Edita Kusari, Edita Sokoli, Edona Rufati, Egzona Zendeli, Ejup Ramadani, Elbasan Alijaj, Elbasan Hetemi, Eleonora Haxhiu-Veseli, Eli Rusinovci, Elidon Ndoni, Elmedina Shaqiri, Elona Kapo, Elvanda Gojani, Endi Bardhi, Endrit Elmazi, Endrri Hila, Enea Hapçiu, Enes Kollashinci, Engjëll Gishti, Eni Zhegu, Enis Mustafai, Erisa Ymerali, Ermira Alushi, Ermira Kadriu, Ermira Tjegulla, Ermira Vejseli, Ervis Luraku, Eva Ile, Evelina Bardhi, Faik Krasniqi, Fatime Hasani, Fadil Lepaja, Faton Shabani, Fatos Rexhaj, Festim Deari, Fetie Kastrati, Fitim Kurtaliqi, Fitim Rexha, Fitore Ismaili, Fjolla Bakalli, Flora Bejtullahu, Florent Fejzullahu, Florent Halili, Florie Sylaj, Florina Çollaku, Flutra Gashi, Frashër Oseku, Funda Ibrahimi, Garip Dehari, Genc Kastrati, Genta Pallaska, Geta Ramadani, Gëzim Bafqari, Gëzime Turku Selo, Gjin Prendi, Gjon Mark Berisha, Gjylnaze Kelmendi, Guxim Klinaku, Halil Matoshi, Haifa Fafa, Hajdin Gjakaj, Hajrije Ismaili, Hisen Tahiri, Hysen Durmishi, Ibadete Asani, Ibush Neziri, Ilir Kasa, Iliriana Ademi, Iliriana Bytyçi Bilibani, Iliriana Shabani, Ina Gjoka, Ina Kurti, Isko Ajdini, Jehona Iljazi, Jeronim Spahiu, Jeta Jusufi, Jeton Qormehmeti, Jetona Selimi, Kadire Piraj, Kaltrina Ademi, Kaltrina Shabanaj, Keit Spahiu Vata, Kemi Hoxha, Klajdi Jahjai, Kushtrim Gashi, Kushtrim Seferi, Kushtrime Ibra, Labinot Balaj, Labinot Beadini, Laila Kharkongor, Laura Sherifi, Lendita Kumnova, Leundrit Lilo, Lindita Hetemi, Liridon Ceka, Liridon Kadriu, Liridona Avdili, Lola Gojani Mazreku, Lola Rexha, Lora Besimi, Luan Beqiri, Luli Shameti, Luljeta Gjonbalaj, Lulzim Nushi, Lume Hyseini, Majlinda Pehlivani, Majlinda Sinani Lulaj, Mali Krifca, Marenglen Gjoka, Mentor Alimi, Merita Halitaj, Merita Selmani, Mia Gashi, Mimoza Ahmetaj, Mimoza Berisha, Mimoza Hapçiu, Mimoza Llapashtica, Mimoza Zhubi, Mirdita Dauti, Mirjeta Hetemi, Mirlinda Lluka, Nazmi Syla, Ndriçim Dika, Neba Zeqiri, Nedime Belegu, Nera Memedi, Nertila Qarri, Nesrin Ruva, Nicole Cahall, Ninela Selmani, Njomëza Pallaska, Njomëza Syka, Njomëza Zejnullahu, Ornela Kadaifçiu, Petrit Osmani, Redi Myrto, Rilind Papraniku, Rinora Gojani, Rozi Basha, Rron Krasniqi, Rudina Berdynaj, Sahadete Mavraj, Sait Zhaku, Sandra Nikolova, Selaudin Sela, Selvi Çeli, Shaban Hajdini, Shini Avdiu, Shkëlqim Zilbeari, Shpend A Gashi, Shpenzim Beadini, Shpresa Kastrati, Shkipe Oseku, Shqipe Pallaska, Shqipe Rexhepi, Shukrie Gashi, Sibel Halimi, Simon Shkreli, Stela Oseku, Stephanie Schwandner-Sievers, Suada Imeri, Suada Sulejmani, Suela Marku, Tahir Veliu, Tahire Gashi, Teuta Rrusta, Tomorr Pozhegu, Turkane Berisha Kamishi, Uranik Turkeshi, Valdrin Osaj, Valentina Tolaj, Vegime Bruncaj, Venera Ramaj, Vesa Rezniqi, Veton Zejnullahu, Viktoria Stoimenovska









































