LAJMI I FUNDIT:

KMDLNj: Detyrimi për ta paguar RTK-në i kundërligjshëm

KMDLNj: Detyrimi për ta paguar RTK-në i kundërligjshëm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar duke thënë se nëse vendoset që RTK të sigurojë mjete financiare përmes detyrimit të paguajnë parapagimin si ngarkesë shtesë e faturave të rrymës, kjo do të paraqiste futje të dhunshme e duarve të RTK-së në xhepat e qytetarit, do të ishte e kundërligjshme, e dënueshme dhe lehtësisht do të rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese.

Me ringjalljen e taksës detyruese prej 2.5 eurove faturave të rrymës, si parapagim i dhunshëm, qytetarët i kanë deklaruar KMDLNj-së se ngarkimi i tyre me parapagim për financim të RTK-së është i padrejtë dhe ngarkim i dyfishtë, indirekt dhe direkt.

Reagim i KMDLNj-së:


2.50 EURO PËR RTK –NË, ANTIKUSHTETUESE DHE DUHET TË REFUZOHET NGA QYTETARËT E KOSOVËS !

Radio Televizioni i Kosovës, deri më tani nuk ka gjetur mënyrë përkatëse afatgjate të financimit përveç mjeteve që i ndanë Kuvendi i Kosovës, themelues i së cilës edhe është. Për këtë arsye është shqyrtuar mundësia që mjetet e nevojshme të sigurohen përmes parapagimit mujor e që do të realizohej duke e ngarkuar edhe më shumë faturen e rrymës e cila, për shumë qytetarë është bërë e papërballushme aq më parë që qytetarët, për vite të tëra janë plaçkitur duke e paguar energjinë elektrike për serbët e veriut e që deri me tani, përkundër zotimeve, nuk janë kompensuar.

Ndonëse më parë ishte refuzuar dhe ishte cilësuar si antikushtetuese, RTK –ë, për shkak të paqëndrueshmërisë financiare përsëri i është kthyer “dashurisë së vjetër “ apo sigurimit të buxhetit përmes parapagimit detyrues e që ishte zbatuar para luftës në Kosovë, në kohën kur RTP ka qenë transmetuesi i vetëm publik dhe nuk ka pasur mundësi të tjera për informim përveç RTP-së. Pra, në atë kohë RTP nga edhe ka dalur RTK – ë e sotit kishte monopol absolut në planin e informimit të publikut e që, në një mënyrë e arsyetonte taksën që duhej paguar. Sot në Kosovë kemi shumë televizione, platforma apo transmetues të programeve e që, varësisht nga ofertat, i bëjnë për vete shikuesit. Tash, me ringjalljen e taksës detyruese prej 2.5 eurove faturave të rrymës, si parapagim i dhunshëm, qytetarët i kanë deklaruar KMDLNj-së se ngarkimi i tyre me parapagim për financim të RTK-së është i padrejtë dhe ngarkim i dyfishtë, indirekt dhe direkt. Mënyra indirekte është përmes Buxhetit të Kosovës (taksat e qytetarëve të Kosovës) dhe direkte, përmes parapagimit duke u fryrë faturat e rrymës, për nevoja të RTK-së.

Qytetarët e Kosovës, në tregun informativ kanë mundësi të përcaktohen për alternativa tjera që sipas tyre ofrojnë programe më të mira dhe për çka paguajnë detyrime në baza mujore apo vjetore. Në pakon e ofertave të transmetuesve kabllovike, për të cilat paguhen shërbimet është mundësia që të përcillet edhe RTK, për ata që kanë interesim andaj nuk është e drejtë, është e palogjikshme, kundër të drejtave të konsumatorit, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që qytetarët të detyrohen ta paguajnë parapagimin për RTK-në, kundër vullnetit të tyre. Paguajmë për Kujtesa, IPKO, Telkos, Digjitalb apo platforma të tjera ku është edhe RTK –së dhe, në të njëjtën kohë paguajmë edhe taksën – haraç prej 2.50 euro, si parapagim i dhunshëm ekskluzivisht për RTK –ë !

Është krejtësisht normale dhe e drejtë që qytetarët të përcaktohen se cilën ofertë informative – mediale e përkrahin dhe për këtë e paguajnë parapagimin mujorë apo vjetor. Nëse vendoset që RTK të sigurojë mjete financiare përmes detyrimit të paguajnë prapagimin si ngarkesë shtesë e faturave të rrymës , kjo do të paraqiste futje të dhunshme e duarve të RTK-së në xhepat e qytetarit, do të ishte e kundërligjshme, e dënueshme dhe lehtësisht ( sigurisht) do të rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese.

RTK-ë, që nga fillimi ka pasur problem me menaxhim, qoftë editorial ashtu edhe financiar për faktin se ka qenë 100% i ndikuar politikisht duke iu përshtatur çdo garniture në pushtet. Askush nga drejtuesit e RTK-së nuk është zgjedhur në bazë të profesionalizmit por në bazë të dëgjueshmërisë ndaj strukturave politike. Kjo dëgjurshmëri pastaj iu ka siguruar imunitet nga ndjekja penale përkundër shumë shpërdorimeve që janë bërë. RTK –ë as sot nuk menaxhohet si duhet, konkursi për pozita të larta menaxheriale shpallet sa për sy dhe faqe , ka mbipopullim të madh të të punësuarve, kryesisht në baza politike dhe nepotiste, joprofesionalizmi e ka ngulfatë profesionalizmin andaj programet që emitohen në këtë medium publik nuk janë konkuruese me programet e televizoneve tjera. RTK duhet të nxirret nga ndikimi 100% i politikës , duhet të krijojë hapësirë për profesionistë të fushave të ndryshme sikur edhe të ulë numrin e të punësuarve, në përputhje me nevojat reale për këtë medium publik. RTK duhet të jetë medium që do të sigurojë mjete financiare duke shitur prodhimet e saj ne tregun e mediave dhe jo të japë mjete të panevojshme për blerje te lajmeve, informatave apo filmave që u ka kaluar arsyeshmëria e përdorimit e të cilat aspak nuk e rrisin shikueshmërin apo që bëjnë përmirësime cilësore të programeve. Dhe që janë me çmime shumë të larta.

Në RTK duhet të bëhet një auditim i brendshëm financiar si dhe të bëhet lista komplete e të punësuarve e cila pastaj do të krahasohej ne nevojat reale. Lista e të punësuarve , nëse pasqyrohet saktë koha kur janë pranuar, mosha, gjinia, përgatitja profesionale dhe përvoja do të tregojë më së miri për ndikimet e pamohueshme politike, korrupsionin dhe nepotizmin. Kur të analizohen daljet apo shpenzimet atëherë do të shihet se ka të punësuar në RTK-ë që përveç rrogës së paraparë me kontratë dhe përshkrimit të vendit të punës, kanë marrë honorare shtesë, mëditje si dhe projekte e që përbënë konflikt të pastër interesi .

KMDLNj e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje që parapagimi për RTK-në përmes faturave të rrymës të legalizohet sepse konsideron këtë formë si plaçkitje ordinere, kundërligjore dhe kundër të drejtave të njeriut. Komisioni paralamentar për media i Kuvendit të Kosovës nuk mund të jetë rregullator e as mbikëqyrës i punës së RTK-së sepse një pjesë e këtij Komisioni ka konflik të hapur interesi dhe raporte nepotiste duke përfituar nga ky medium publik si dhe duke ndikuar në përzgjedhje të stafit menaxherial dhe të tjerëve .

RTK mund të arsytojë kërkesën për mjete shtesë buxhetore vetëm nëse e rrit cilësinë e programeve, nëse vendosë rregull në punësim, nëse profesionalizohet dhe përfundimisht nëse lirohet nga ndikimi politik.

RTK-së, në vend se u vë haraç prej 2.50 euro qytetarëve të Kosovës, përmes faturave të rrymës së ( pa ) shpenzuar, duhet të kërkojë mjete nga platformat dhe sistemet kabllovike që transmetojnë programet e këtij mediumi si dhe nga reklamat. Ideja se RTK, pas një kohe të caktuar nuk do të financohet nga Kuvendi i Kosovës automatikisht nënkupton humbjen e statusit të mediumit publik dhe e bënë të pakuptimtë taksën gjobë prej 2.50 euro , ku i varë shpresat për sigurim të financimit për një makineri burokratike që mbijeton, jo në bazë të punës dhe profesionalizmit por në bazë të zhvatjes së mjeteve të pamerituara.

Edhe struktura e re menaxheriale është zgjedhur sipas modelit të strukturave paraprake që e sollën këtë medium publik buzë falimentimit material në ndërkohë që falimentimin profesional dhe informativ e kanë shndërruar në diçka të prekshme dhe të dukshme, për fat të keq.

Prandaj, si përfundim, çdo përpjekje që t’i zgjatet jeta një gjendjeje të tillë do të jetë zgjatje e agonisë informative dhe programore që pashmangshëm shpie te legalizimi i joprofesionalizmit, nepotizmit, korrupsionit, aktiv dhe pasiv dhe vdekjes reale në ndërkohë që në vdekje klinike është një kohë të gjatë !