Kirurgu shqiptaro-amerikan, Rifat Latifi, shkencëtari që synon ndërrimin e faqes së Kirurgjisë në Kosovë
Ndërtimi, funksionalizimi, përgatitja dhe ngritja e kuadrove shkencore, dhe administrative të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, është synimi kryesor i kryetarit themelues të këtij Kolegji, Rifat Latifit, kirurg i njohur në Shtetet e bashkuara të Amerikës, dhe i cili në komunitetin shqiptar si dhe komunitetin e Telemjekësisë në mbarë botën, njihet si një nga autoritetet botërore në Telemjekësi.
Me krijimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, të parin në Ballkan, Latifi në një intervistë për Telegrafin tha se “me këtë mund të ndërrojmë faqen e Kirurgjisë së Kosovës, dhe të mjekësisë përgjithësisht, ngase Kirurgjia është “Mbretëresha e Mjekësisë”.
Sa i përket pandemisë COVID-19, dhe varianteve të ndryshme të virusit, Latifi thotë se varianti Delta paraqet një sfidë serioze për kontrollin e pandemisë COVID-19 në SHBA, dhe në mbarë botën. Por, siç tha ai vaksinat janë e vetmja rrugë përpara që do të ruajë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë, dhe përfundimisht do të përmbajnë dhe kontrollojnë pandeminë.
Rifat Latifi ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.
“Nëse nuk ke mjete materiale, nëse nuk ke infrastrukturë adekuate, atëherë mund të bëhet vetëm me ato mjete që ke në dorë. Gjithë popullsia duhet kuptuar bindshëm se kjo është shumë serioze, se duhet të vaksinohen, dhe duhet tu përmbahen rregullave në fuqi”, tha ndër të tjera ai në intervistën për Telegrafin.
Duke folur për Kongresin PAN Shqiptaro-Amerikan ku është edhe anëtar i bordit, dr. Latifi thekoi se ky Kongres është një tentim i riaktivizimit të rindërtimit të lobit Shqiptaro-Amerikan, dhe për këtë komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të punoj shumë, që të arrijmë edhe një çerek të asaj, që Liga Shqiptare dhe lobi shqiptar ka bërë në të kaluarën.
Por kush është dr. Rifat Latifi?! Ai është profesor dhe Kryeshef i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New Yorkut (New York Medical College), Shkolla e Mjekësisë, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë, dhe Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në Valhalla, New York. Më parë ai ishte në Universitetin e Virgjines në Virginia, në Universitetin e Arizonës, Tucson dhe Doha të Katarit. Ai është anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, dhe Kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018. Gjatë dy mandateve, ai ka qenë edhe kryetar i Kolegjit të Kirurgeve të Shtetit të Arizonës.
Dr Latifi është një mishërim i kirurgut akademik: klinicist dhe mentor i shume kirurgëve të rinj në SHBA, në Kosovë, Shqipëri dhe shumë vende të botës. Ai është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore dhe kapituj librash, dhe ka shkruar/redaktuar 20 libra në lëmi të ndryshme në fushën e Kirurgjisë, dhe Telemjekësisë, Nutricionit të të sëmurëve e fusha tjera. Përveç kësaj, ai shërben në bordet redaktuese të shumë revistave ndërkombëtare kirurgjikale, dhe është redaktues për revistën Hernia dhe European Journal of Trauma and Emergency Surgery. Së fundmi, ai është kryeredaktor i Revistës së Kirurgjisë të Kosovës, që botohet në gjuhën anglishte.
Ai është anëtar i një numri të madh organizatash të shumta kirurgjikale shtetërore (në Amerikë), kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Shoqatën Amerikane të Kirurgjisë, shoqata më prestigjioze kirurgjikale në botë.
Në këtë intervistë, dr. Latifi bëri të ditur edhe mbajtjen e Kongresit të Parë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në mënyrë hibride (për shkak të eskalimit të gjendjes së Covid-19) me 23-26 shtator.
Telegrafi: Cilat janë interesat Klinike dhe Hulumtimeve Shkencore të Dr. Latifit?
Dr. Rifat Latifi: Kam interesa të ndryshme dhe të gjëra klinike dhe kërkimore, në shkencën e kirurgjisë, por më së shumti kam interes në kirurgjinë komplekse rioperative, traumat komplekse dhe kirurgji të përgjithshme, kujdes kritik kirurgjik dhe reamacionit, vendimmarrje kirurgjikale dhe kirurgji gjeriatrike, telemjekësi dhe ushqimin e të sëmurëve kirurgjik dhe pacientëve të sëmurë rëndë. Interesi im kryesor klinik dhe kërkimor për 10 vitet e fundit, megjithatë, është rindërtimi i murit të barkut për herni komplekse, sidomos në pacientët me cirrozë dhe pas traumave e katastrofave kirurgjike intraabdominale. Jam autor i dy botimeve të Kirurgjisë komplekse të murit të barkut dhe studiues i thellë i procesit se si kirurget marrin vendime të komplikuara edhe atëherë, kur nuk ka shumë kohë të merret vendimi. Tash po punoj në edicionin e 2 –të, të librit mbi ‘Vendimi Kirurgjik’. https://www.amazon.com/s?k=Rifat+Latifi&ref=nb_sb_noss
Telegrafi: Çfarë punon dhe për çfarë njihet dr. Latifi?
Dr. Rifat Latifi: Së pari jam kirurg i thjesht, modest, pa mendjemadhësi. Po ashtu, jam drejtor në Departamentin e Kirurgjisë në Westchester Medical Center Health Network, profesor dhe kryeshef i Departamentit të Kirurgjisë në New York Medical College, në Valhalla, NY, një nga Fakultetet më të vjetra të Mjekësisë në SHBA (krijuar me 1861), që nga viti 2016 kur u transferova nga Universiteti i Arizonës, Tucson, Arizona. Departamentin e Kirurgjisë, që unë udhëheq, është në rrjetin e dhjetë spitaleve. Me gjithë këto, unë dhe jam kirurg aktiv me praktikë shumë të ngarkuar, bëjë operacione të hapura, laparaskopike dhe së fundi edhe kirurgji robotike.
Kam lindur në Kllodernicë të Drenicës, kam përfunduar fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dhe gjatë studimeve kam qenë gazetar aktiv. Pas shkuarjes në SHBA, është marrë me hulumtime shkencore për disa vite, e pastaj ka filluar specializimin në Klinikën e njohur të Klevelandit, në Ohajo. Kam përfunduar specializimin në Kirurgjinë e Përgjithshme në Universitetit e Yale-s dhe specializimin e dytë në traumë dhe Kujdesin Intensiv Kirurgjik në Spitalin Lincoln, Kolegji Mjekësor i New Yorkut, në Bronx. Në komunitetin shqiptar si dhe komunitetin e Telemjekësisë në mbarë botën, ai njihet si një nga autoritetet botërore në Telemjekësi dhe Teleshndetësi.
Për më tepër, jam i përkushtuar me pasion në Kirurgjinë Globale dhe Telemjekësisë Ndërkombëtare, si platforma për rindërtimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në botën në zhvillim dhe vendet pas konfliktit. Jam autor i tre programe kombëtare të Telemjekësisë në botë: Kosovë, Shqipëri, dhe Cabo Verde (Afrikë), për të cilat ka marrë çmimin nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve/Pfizer International Surgical Volunteerism në vitin 2015. Për më tepër, kam krijuar programin e parë të Teletraumës dhe Teleprezencës në Arizona, e cila u shërbente banorëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Për këto dhe për programin e Telemjekësisë në Kosovë, kam marrë se “Çmimin e Arritjes së Shekullit 21 për Shëndetin” nga Programi Computerworld dhe “Çmimi Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit” nga Komisioni i Akreditimit të Shqyrtimit të Shfrytëzimit (URAC).
Në vitin 2017, jam nderua me “Mjekët e Dalluar” të Qarkut Westchester në New York, “Çmimi nuk ka tokë shumë larg” nga Westchester Business Journal në Westchester, New York dhe Top Doctors në 2020. Përveç kësaj, kam edhe “Certifikata e Mirënjohjes”, nga Shtabi i NATO -s, Brukseli për Përkushtim dhe Punë të Shkëlqyer për Sistemin Shumëkombësh te Telemjekësisë ku kam qenë klinicist pyetësor. Që nga viti 2006, kam marrë pjesë si kirurg vullnetar në Filipine, dhe shërbej në Komitetin e Kolegjit te Kirurgeve Amerikan për Angazhimin Global. Aktualisht, shërbej si zëvendës President dhe delegat i shtetit të New Yorkut në Kolegjin Ndërkombëtar të Kirurgëve, Kapitulli i SHBA.
Telegrafi: Ishte kjo rrugë e vështirë?
Dr. Rifat Latifi: Rruga ishte shumë e vështirë, por do ta bëja edhe njëqind herë, po të duhej, ngase vetëm me punë dhe përkushtim të madh njeriu arrin atë që e dëshiron dhe e arsyeton të jesh gjallë. Personalisht, unë kam pasur fat shumë të madh gjatë gjithë jetës, që nga familja, fshati dhe vendi ku kam lindur, e deri në shtegtimet rreth e rreth botës.
Telegrafi: Por, çka ju preokupon sot, dhe çfarë synimi keni për të ardhmen?
Dr. Rifat Latifi: Ndërtimi dhe funksionalizimi, përgatitja dhe ngritja e kuadrove shkencore, dhe administrative të Kolegjit të Kirurgeve të Kosovës, që do t’ia kthej autoritetin dhe besimin Kirurgëve, besimin që një herë e patën, do të jenë preokupimi kryesor për dhjetë vitet e ardhshme të mija. Nëse unë e kam pasur fatin me 14 udhëheqësit e Shoqatave Kirurgjike të Kosovës, ta krijojmë Kolegjin e Kirurgëve, të parin në Ballkan, dhe në Evropën Lindore, dhe ata të më besojnë të jam në krye të këtij grupi të jashtëzakonshëm të Kirurgëve të Kosovës, atëherë unë do bëjë gjithë atë që mundem, por edhe te pamundshmen, në mënyrë që t’ia ndërrojmë faqen Kirurgjisë së Kosovës, ngase Kirurgjia është “Mbretëresha e Mjekësisë”.
Kirurgjia është dhe duhet të jetë prioritet kombëtar i çdo populli, i çdo shteti, është prioritet njerëzor. Një e treta e vdekjeve në botë, ngjajnë për shkak të mungesës ose kualitetit të dobët kirurgjik ose të pamundësisë që të behet fare operacioni. Nuk mund të ketë një spital modern pa kirurgji moderne; nuk mund të ketë një sistem modern shëndetësor pa kirurgji moderne dhe të avancuar. Nuk mund të ketë një departament modern të kirurgjisë, pa kirurgë individualë të përgatitur për të udhëhequr modernizimin e këtij procesi, që përfundimisht krijon sistemin shëndetësor. Së fundmi, nuk ka mjekësi të avancuar, pa siguri të pacientit dhe pa shërbime klinike kirurgjikale me cilësi të lartë, që e bëjnë një departament modern të kirurgjisë dhe një spital modern.
Këto janë prioritet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, dhe këto janë çështje që më mbajnë zgjuar natën, por me forcë, punë e vullnet nuk do të ndalemi në këtë proces.
Me rëndësi është, ne të vendosim themelet e Kolegjit të Kosovës, themele të forta administrative, ligjore, akademike dhe t’ia kthejmë autoritetin kirurgut të Kosovës, dhe përkrahim ata si një nga vlerat e rëndësishme dhe pasuri kombëtare, për ngritjen e të cilëve shoqëria dhe shteti i Kosovës ka dhënë shumë. Kur kanë vdekur profesor Sami Haxhibeqiri, profesor Gazmend Shaqiri, e të tjerë, Kosova është dashur të shpallë ditë zie. Të gjithë kirurgëve, ju duhet dhjetëra vite të përgatiten, që të jenë të suksesshëm dhe të bëjnë atë, që shumica nuk mund as ta marrin me mend, andaj duhet të trajtohen dhe të sillen si të tillë.
Telegrafi: Si mund te arrihet ky vizion?
Dr. Rifat Latifi: Unë gjithmonë e shoh anën pozitive dhe shoh mundësi të reja, andaj ndonëse kjo është një gjendje e palakmueshme dhe në fakt shumë e keqe, megjithatë, paraqet një mundësi të madhe kolektive të zhvillimit dhe implementimit të strategjisë 100 vjeçare shkencore në kirurgji. Ne kemi nevojë të madhe për këtë strategji, për të cilën duhet përkushtim shtetëror, gjithë publik, dhe individual. Por, ne kirurgët nuk duhet të presim se diçka e jashtëzakonshme do të na bie ose nga qielli, ose nga ndonjë organizatë ndërkombëtare bamirëse ose fitimprurëse, ose do të vije nga vet Parlamenti i Kosovës.
Ne duhet të kemi idetë tona, guximin tonë, vendosmërinë tonë dhe përkushtimin individual e kolektiv, që të ndërrojmë këtë gjendje, sipas eksperiencës Amerikane dhe vendeve tjera.
Ne duhet të krijojmë programe afatgjate, jo njëvjeçare, jo katër vjeçare, jo për një mandat të një apo një partie tjetër politike në fuqi, por programe 100 vjeçare kombëtare. Këto programe duhet të jenë të strukturuara dhe afatgjate, por nuk do se ato programe duhet shkruar në një gurë, por të gatshme të modelohen dhe gdhenden sipas zhvillimeve shkencore. Vetëm avancimet shkencore, duhet të jenë fener i rrugës tonë shkencore, e jo të ndërrohen drejtimet dhe shkatërrohen arritjet, sa herë që ndërrohen qeveritë, sa here që ndërrohen ministrat, sa here që ndërrohen koalicionet politike. Këto programe duhet të udhëhiqen dhe krijohen nga strategjitë shkencore, atyre që ia donë të mirën Kosovës, dhe që kanë aftësitë profesionale të shohin përtej kaptinave kohore të shkurta. Shkenca dhe mjekësia, duhet të bëhen prioritet kryesor i secilës qeveri dhe shtetit të Kosovës. Ne duhet të investojmë në përgatitjet e kuadrove që do të na udhëheqin strategjinë 100 vjeçare. Për zhvillimin shkencor të kirurgjisë, ne vet kirurgët duhet ta bëjmë punën tonë, por si pjesë dhe partner serioz integrues dhe transparent i zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.
Telegrafi: Cilat janë detyrat momentale dhe afatgjate të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës?
Dr. Rifat Latifi: Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK), është ombrellë e shoqatave të Kirurgëve të Kosovës dhe organizatë e të gjithë kirurgëve jashtë Kosovës. Programet afatgjate janë këto:
- Të krijojmë infrastrukturën e qëndrueshme të lidershipit, mbështetjen profesionale dhe mjedisin hapësinor, teknologjik dhe administrativ optimal për të drejtuar aktivitetet e KKK.
- Të botojmë Revistën Kirurgjisë së Kosovës ( Kosova Journal of Surgery) si revistë zyrtare e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, një revistë që në 5-7 vjet të citohet në PubMed, SCOPUS dhe motorë të tjerë kërkues; dhe Buletinin e KKK duke filluar nga viti i ardhshëm.
- Të krijojmë procesin vetanak të vlerësimit të studimeve dhe kërkimeve shkencore dhe kapaciteteve editoriale, përmes programeve të strukturuara edukative.
- Të ndërtojmë një Qendër Klinike të Kërkimeve Shkencore në Kosovë me ambiente dhe kapacitete akademike njerëzore shumë disiplinor.
- Ta bëjmë Kolegjin, ashtu sikurse Kolegji Amerikan, instrument për akreditimin e kualitetit të shërbimeve kirurgjike në të gjitha spitalet për disiplina të ndryshme kirurgjikale si trauma, onkologjia, kirurgjia vaskulare dhe programe të tjera të ardhshme, sikurse transplantimi dhe të tjera për Ministrinë e Shëndetësisë.
- Të vendosim programet dhe kapacitetet e evokimit për të përfaqësuar KKK-në, në agjencitë qeveritare, dhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
- Të krijojmë programe edukative për të mbështetur pacientët dhe familjet me sëmundje kirurgjikale për të ngritur vetëdijen shëndetësore.
- Të krijojmë shërbimet e ngritjes së cilësisë dhe Programet e Kualitetit dhe Sigurisë së Pacientëve në të gjitha disiplinat kirurgjikale, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit, bazuar në kualitetin e shërbimeve të propozuara dhe akredituara nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, dhe për të përmirësuar programet dhe sigurinë e pacientit;
- Departamentet e ndryshme të Kirurgjisë të mbahen përgjegjës për përgatitjen e kirurgëve dhe mësimin e vazhdueshëm të tyre, si dhe ri-vlerësimi i aftësive dhe eksperiencës kirurgjike pas diplomimit të kirurgëve.
- Të organizojmë dhe fuqizojmë punën e Kolegjit, përmes rreth komisioneve shkencore dhe autoritative, që do të jenë përgjegjës për punën e kirurgëve, por edhe akreditimin e spitaleve për shërbime të caktuara kirurgjike.
Telegrafi: Përpos punës profesionale, jeni edhe anëtar i bordit të Kongresit PAN Shqiptaro-Amerikan. Formimi i këtij Kongresi, a mund të quhet riaktivizim i lobit shqiptaro-amerikan?
Dr. Rifat Latifi: Gjithsesi, është një tentim i riaktivizimit të rindërtimit të lobit Shqiptaro-Amerikan. Neve, na duhet shumë punë që të arrijmë edhe një çerek të asaj, që Liga Shqiptare dhe lobi shqiptar ka bërë në të kaluarën. Fatkeqësisht, në 20 vitet e fundit, në vend që të forcohet dhe masivizohet ky lob, është shkatërruar, ngase është politizuar nga Prishtina dhe është përçarë në grupe të vogla. Kur ka mbaruar lufta fizike në Kosovë, ne komuniteti shqiptar me ndihmën e udhëheqësve të Kosovës, është dashur të fillojmë luftën e re, luftën për ndërtimin e ligjit dhe themeleve të shtetit të ri, luftën për kuadrot e reja, dhe luftën për të mbajtur afër ata që i patëm dhe për të zgjeruar rrjetin e miqve tanë Amerikan.
Lobi dhe udhëheqësit, dhe po ashtu gjithë pjesëmarrësit e lobit, janë harruar nga Kosova, dhe kështu është shkatërruar një pasuri dhe forcë e jashtëzakonshme e Kosovës në Amerikë. Tash, duhet edhe një herë të fillojmë këtë luftë të re, se Kosova nuk është jashtë krize, liria nuk është e plotë, zhvillimi është gjysmë dhe në proces, ndërsa truri intelektual i Kosovës, po e lënë Kosovën për Gjermani e vende tjera.
Telegrafi: Bota që një kohë të gjatë po përballet me pandeminë Coronavirus apo COVID-19. Ka disa lloje të vaksinave që janë në përdorim, por prapë virusi ka depërtuar në përmasa të mëdha tek njerëzit. Është bërë sa duhet në këtë drejtim, dhe si e shihni situatën jo vetëm në SHBA, por globalisht?
Dr. Rifat Latifi: Sipas revistës shumë autoritative në SHBA, JAMA (Journal of Medical Association) varianti Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi në dhjetor 2020, u përhap me shpejtësi në gjithë vendin kryesisht tek ata të pavaksinuar dhe shkaktoi një numër masiv të rasteve, shtrime në spital dhe vdekje. Në Angli, varianti Delta, gjithashtu u përhap me shpejtësi pavarësisht mbulimit të lartë të vaksinimit, megjithëse pati një rritje shumë më të ngadaltë të shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Disa ekspertë të shëndetit publik, kanë spekuluar se kjo përhapje e shpejtë u shpjegua të paktën pjesërisht me vendimin e vendit për të vonuar dozat e dyta të vaksinës.
Në SHBA, varianti Delta u identifikua për herë të parë në Mars 2021. Që atëherë, Delta është bërë varianti mbizotërues në SHBA dhe ka shkaktuar një valë të gjerë infeksionesh të reja, veçanërisht në vendet ku normat e vaksinimit të komunitetit janë të ulëta. Në fakt, përhapja e Delta është kryesisht një pasqyrim i mbulimit të pabarabartë të vaksinimit në SHBA, me një numër shumë më të madh të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve midis shteteve me norma të ulëta vaksinimi dhe masa të kufizuara të zbutjes së shëndetit publik.
Varianti Delta është shumë i transmetueshëm, vlerësohet të jetë rreth 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, dhe CDC ka sugjeruar shkallën e lartë të riprodhimit.
Telegrafi: Si e vlerësoni menaxhimin e kësaj situate nga institucionet e Kosovës?
Dr. Rifat Latifi: Institucionet mjekësore të Kosovës, kanë bërë atë që kanë mundur në kohën kur kanë mundur. Është lehtë për neve qe jemi jashtë të kritikojmë një ose një vend tjetër, por nëse nuk ke mjete materiale, nëse nuk ke infrastrukturë adekuate, atëherë mund të bëhet vetëm atë që mund të bëhet, me ato mjete që ke në dorë. Gjithë popullsia duhet kuptuar bindshëm se kjo është shumë serioze, se duhet të vaksinohen, dhe duhet tu përmbahen rregullave në fuqi.
Telegrafi: Sa janë të mbrojtur njerëzit nga marrja e vaksinave, sa mund të jetë kohëzgjatja e saj, dhe a ka vend për dyshime për efekte anësore të shëndetit?
Dr. Rifat Latifi: Varianti Delta paraqet një sfidë serioze për kontrollin e pandemisë COVID-19 në SHBA, dhe në mbarë botën. Përgjigja efektive ndaj këtij varianti të frikshëm do të kërkojë një përgjigje të bazuar në prova që, për fat të keq, nuk ka qenë rasti për shumë shtete të botes. Vaksinat janë e vetmja rrugë përpara që do të ruajë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë, dhe përfundimisht do të përmbajnë dhe kontrollojnë pandeminë.
Rritja e përfshirjes të marrin vaksinat në mesin e popullatave që hezitojnë t’i marrë vaksinat, do të kërkojë pjesëmarrje të plotë dhe angazhim të plotë nga të gjithë, përfshirë zyrtarët qeveritarë, mjekët, praktikuesit e shëndetit publik dhe anëtarët e komunitetit. Zyrtarët e zgjedhur dhe politik-bërësit e tjerë, mund të bëjnë pjesën e tyre tani duke i dhënë mbështetje të fortë strategjive të vaksinimit dhe zbutjes së shëndetit publik. Ne nuk e dimë, se sa zgjatë imuniteti pas vaksinës, dhe është shumë e mundur që vaksina duhet të përsëritet, sikurse edhe vaksina e gripit që ne e marrim për çdo vjet.
Telegrafi: Prof. dr. Latifi, cili është mesazhi juaj për të rinj të cilët synojnë rrugën e suksesit?
Dr. Rifat Latifi: : Duhet punuar 26 orë në ditë, duke ia marrë dy orë ditës që vjen, dhe mos humb as një sekondë duke mos bërë asgjë. /Telegrafi/Lumturije Bekaj/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAhmeti: Akuzat e Qeverisë ndaj Prokurorisë Speciale janë skandaloze
Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan
Haziri: Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së
Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje
Sonte tërmet në Maqedoni
Ministri i Mbrojtjes: Sot një mijë ushtarë për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit