“Kina përbën një kërcënim të përditshëm për sigurinë e Britanisë”, tha kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme britanike, vërejtje që rrisin presionin mbi autoritetet për të shpjeguar pse ndjekja penale e dy burrave të akuzuar për spiunazh për Pekinin dështoi pak para se ata të dilnin në gjyq.

Qeveria, politikanët e opozitës dhe prokurorët kanë fajësuar njëri-tjetrin për çështjen penale të dështuar, ndërsa Britania e Madhe.


"A paraqesin aktorët shtetërorë kinezë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe? Përgjigja është sigurisht po, ata e bëjnë këtë, çdo ditë", tha drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, gjatë një paraqitjeje të rrallë publike.

Ai tha se agjencia e tij kishte ndërhyrë për të ndaluar një kërcënim nga Pekini kohët e fundit, javën e kaluar.

McCallum deklaroi se ndërhyrja e mbështetur nga Pekini ka përfshirë spiunazh kibernetik, vjedhjen e sekreteve teknologjike dhe "përpjekje për të ndërhyrë fshehurazi në jetën publike të Britanisë”.

Bëhet e ditur se akademiku Christopher Berry dhe studiuesi parlamentar Christopher Cash u akuzuan vitin e kaluar për dhënien e informacionit Kinës që mund të jenë "të dëmshme për sigurinë ose interesat" e Britanisë.

Pastaj, muajin e kaluar, prokurorët thanë se akuzat po hidheshin poshtë.

Drejtori i Prokurorisë Publike, Stephen Parkinson, iu drejtua qeverisë, duke thënë se zyrtarët refuzuan të dëshmonin nën betim se Kina përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare në kohën e veprave të dyshuara penale, midis viteve 2021 dhe 2023.

Kryeministri britanik Keir Starmer mohon ndërhyrjen dhe të mërkurën vonë qeveria publikoi deklaratat e dëshmitarëve të paraqitura në gjykatë nga Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Matthew Collins, duke e përshkruar Kinën si "kërcënimin më të madh shtetëror për sigurinë ekonomike të vendit".

“Aktivitetet e spiunazhit të Bejing dëmtojnë interesat dhe sigurinë e Britanisë", tha ai.

McCallum e quajti marrëdhënien e Britanisë me Kinën një përzierje "komplekse" rreziku dhe mundësie dhe tha se agjentët e MI5 "zbulojnë dhe merren me aktivitete që kërcënojnë sigurinë kombëtare".

"Jam i frustruar kur mundësitë për të ndjekur penalisht aktivitete që kërcënojnë sigurinë kombëtare nuk ndiqen për çfarëdo arsye", tha ai.

Ndryshe, autoritetet britanike të inteligjencës kanë shtuar paralajmërimet e tyre në lidhje me aktivitetet e fshehta të Pekinit dhe Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë i parlamentit e etiketoi Pekinin një "kërcënim strategjik" në vitin 2023. /Telegrafi/