LAJMI I FUNDIT:

Kina ekzekuton katër kanadezë për krime droge

Kina ekzekuton katër kanadezë për krime droge

Katër kanadezë u ekzekutuan në Kinë për akuza të lidhura me drogën në fillim të këtij viti, kanë konfirmuar autoritetet kanadeze.

Të gjithë ata ishin shtetas të dyfishtë dhe identiteti i tyre është fshehur, njoftoi Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanada thuhet se i kërkoi Otavës që të “ndalojë së bëri komente të papërgjegjshme”, pasi ekspertët kishin frikë nga një “zbehie” e mëtejshme e marrëdhënieve të vendeve pas viteve të tensionuara.


Ministria e Jashtme e Kinës tha se ka vepruar “në përputhje me ligjin”, ndërsa ambasada tha se kishte prova “të forta dhe të mjaftueshme” për krimet e tyre.

“Pekini kishte garantuar plotësisht të drejtat dhe interesat e shtetasve kanadezë në fjalë”, tha ambasada, duke i kërkuar Kanadasë të respektojë “sovranitetin gjyqësor të Kinës”.

Bëhet e ditur se Kina nuk njeh shtetësi të dyfishtë dhe mban një qëndrim të ashpër ndaj krimeve të drogës.

Megjithatë, është e rrallë që dënimi me vdekje të zbatohet për të huajt, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Joly tha se ajo kishte ndjekur rastet “shumë nga afër” për muaj të tërë dhe ishte përpjekur me zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryeministrin Justin Trudeau, për të ndaluar ekzekutimet.

Në një deklaratë për mediat kanadeze, zëdhënësja e Global Affairs Canada, Charlotte MacLeod tha se Kanada “ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për mëshirë për këta individë në nivelet më të larta dhe mbetet e palëkundur në kundërshtimin e saj ndaj dënimit me vdekje në të gjitha rastet, kudo”.

Raportohet se Kina vendos dënimin me vdekje për krimet e rënda, duke përfshirë ato që lidhen me drogën, korrupsionin dhe spiunazhin.

Ndërsa numri i ekzekutimeve mbahet sekret, grupet e të drejtave të njeriut besojnë se Kina ka një nga normat më të larta të ekzekutimeve në botë.

“Këto ekzekutime tronditëse dhe çnjerëzore të qytetarëve kanadezë nga autoritetet kineze duhet të jenë një thirrje zgjimi për Kanadanë”, tha Ketty Nivyabandi nga Amnesty International Canada.

Ndryshe, marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Kinës kanë qenë të ftohta që nga viti 2018 pasi Kanada ndaloi një drejtuese të telekomit kinez, Meng Wanzhou, me një kërkesë të SHBA-së për ekstradim.

Kina arrestoi dy kanadezë menjëherë më pas, të cilët të dy tani janë liruar. /Telegrafi/