Kujdes! Simptomat e heshtura që tregojnë se keni tension të lartë pa e ditur fare

Më shumë se 1 në 5 persona jetojnë me hipertension pa qenë të vetëdijshëm...
Dr. Erëza Y. Durmishi
Tensioni i lartë i gjakut shpesh quhet "vrasësi i heshtur" sepse në fazat e hershme zakonisht nuk shkakton simptoma të dukshme. Kjo e bën shumë të vështirë që të zbulohet në kohë, derisa të fillojë të shkaktojë dëme serioze në organizëm.
Për fat të keq, shumë njerëz zbulojnë se vuajnë nga hipertensioni vetëm kur përballen me komplikacione të rënda, si goditje në tru, infarkt të miokardit apo probleme të tjera kardiovaskulare, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën.
Megjithatë, ekzistojnë disa simptoma të hershme që mund të jenë tregues të tensionit të lartë të gjakut, edhe pse ato shpesh kalojnë pa u vënë re, sepse janë të zakonshme dhe ngjajnë me shqetësime të tjera të përditshme.
Njëra ndër simptomat më të shpeshta është dhimbja e kokës. Pra, nëse keni dhembje koke të tmerrshme dhe të papërballueshme, do të duhej që menjëherë të shkonit te mjeku.
Tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë gjakrrjedhje nga hunda. Rreth 17% e njerëzve të cilët kanë probleme me gjakrrjedhjen nga hunda, kanë tension të lartë të gjakut.
Gjithashtu, nëse vazhdimisht jeni të lodhur, por që keni gjumë të rregullt, kjo është edhe njëra ndër simptomat që me siguri keni probleme me tensionin e lartë të gjakut.
Njerëzit të cilët kanë probleme me tensionin e lartë të gjakut mund të kenë probleme edhe me të parit. Me rritjen e tensionit shikimi bëhet më i turbullt. Madje mund edhe sytë të rrjedhin gjak kur ndodh ngritja e tensionit, sepse kjo çon në pëlcitjen e kapilarëve.
Shenja më e qartë te ngritja e tensionit të gjakut është dhimbja në gjoks dhe rrahjet e shpeshta të zemrës. Kurdo që ndodh ngritja e tensionit të gjakut mund të shfaqen dhembje të ashpra dhe të topitura në pjesën e gjoksit.
Shumica i neglizhojnë këto simptoma sepse janë të zakonshme dhe shpesh lidhen me stresin apo lodhjen. Por kur ato përsëriten ose shfaqen pa shkak të qartë, është e domosdoshme të bëni një kontroll te mjeku.
Matja e rregullt e tensionit është mënyra më e sigurt për ta zbuluar hipertensionin në kohë.
Matja e rregullt e tensionit të gjakut është mënyra më e sigurt për të zbuluar hipertensionin në kohë. Por si bëhet matja e duhur?
Si ta matni saktë tensionin e gjakut?
▪ Uluni dhe qëndroni i qetë për 5 minuta para matjes.
▪ Mbajeni krahun në nivelin e zemrës, të mbështetur në një sipërfaqe të fortë.
▪ Mos flisni dhe mos lëvizni gjatë matjes.
▪ Përdorni një aparaturë të kontrolluar dhe të kalibruar.
▪ Bëni matje në të dy krahët, veçanërisht në fillim, për të kontrolluar ndryshimet.
▪ Matni tensionin në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe mbani shënim vlerat për t’i treguar mjekut.
Gabimet më të zakonshme që duhen shmangur:
▪ Matja menjëherë pas ngritjes nga shtrati ose pas aktivitetit fizik.
▪ Matja nëse keni pirë kafe, duhan, apo jeni nën stres.
▪ Përdorimi i aparateve jo të kalibruara ose me madhësi të gabuar të manshetës.
▪ Mos mbajtja e duhur e krahut (shumë lart ose shumë poshtë nivelit të zemrës).
Duke ndjekur këto hapa, matjet do të jenë më të sakta dhe do t’ju ndihmojnë të kontrolloni më mirë shëndetin tuaj.
Mos e lini shëndetin në mëshirë të fatit - kontrollohuni, informohuni dhe kujdesuni për veten! /Telegrafi/





















































