Këshilli i Ministrave të BE-së, do të mblidhet nesër, ku në rend të ditës është edhe aprovimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kështu ka njoftuar Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha.


“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovon liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar Shasha në Facebook i cili ka prezantuar edhe një dokument.

034d0000 0aff 0242 20d1 08daf4b2a618 w1418 r0

Ndryshe, më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, ka votuar me shumicë dërmuese PRO.

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.

Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore./Telegrafi/