Këshilli Komunal për Siguri mban mbledhje të jashtëzakonshme për rastet e fundit tragjike në Gjilan

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme pas dy rasteve të rënda që tronditën Komunën e Gjilanit ditëve të fundit: rasti i dhunës ndaj një vajze të mitur dhe vrasja e trefishtë që ndodhi në qytet.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi se këto ngjarje kanë shqetësuar thellë qytetarët jo vetëm në Gjilan, por në mbarë Kosovën.
“Rastet e tilla janë të papranueshme dhe shqetësuese. I bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë menjëherë, të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë në qytetin tonë dhe që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, u shpreh Hyseni.
Ai shtoi se Gjilani njihet si një qytet i qetë dhe i sigurt, duke potencuar se për disa vite me radhë nuk janë shënuar raste të ngjashme, andaj kërkoi mobilizim të të gjitha institucioneve për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Në mbledhje raportuan për veprimet e ndërmarra drejtori i Policisë Rajonale në Gjilan, Agron Rukiqi; shefi i Sektorit për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Fidan Haliti; drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi; zyrtari nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Të pranishëm ishin edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Besim Rexhepi, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, si dhe përfaqësues nga Ushtria e Kosovës, Inspektorati Policor, Ministria e Brendshme, Qendra Kundër Dhunës në Familje, organizatat joqeveritare, mediet dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Përveç prezantimeve verbale, raport me shkrim mbi veprimet për dy rastet janë dërguar edhe nga Prokuroria Themelore e Gjilanit. /Telegrafi/



















































