Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit mori vendim që ta rris taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga 10 për qind sa ishte me vendimin e kaluar në 100 për qind, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.
Lidhur me taksën, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe biznesmeni, Ramiz Kelmendi, ka thënë se e mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta rritur deri në 100 për qind taksën ndaj produkteve të Serbisë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kelmendi ka sqaruar çështjen e importit të produkteve nga Serbia.
Ai ka theksuar se ‘Elkos’ nuk gjendet as në mesin e 10 importuesve të parë nga Serbia, siç është aluduar më herët.
“Për hir të sqarimit të opinionit të gjerë publik, në shërbim të interesimit të medieve dhe në funksion të informimit të drejtë mbi importet. Referuar në faqen zyrtare të Doganave të Kosovës, kjo është lista e produkteve të importuara, e cila flet vet e ku grupi ‘Elkos’ nuk gjendet as në mesin e 10 importuesve të parë nga Serbia. Ritheksojmë edhe njëherë se Grupi ‘Elkos’ vazhdon të mbështesë dhe respektoj këtë vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kelmendi.
Në këtë link mund t’i gjeni statistikat e doganës lidhur me importin e produkteve nga Serbia./Telegrafi