LAJMI I FUNDIT:

Katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi

Katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi

Sot mbushen katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi, njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, dijës dhe shkencës, por edhe çështjes kombëtare.

Ai me të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijes dhe paqes’, ’profesori i respektuar’, ‘pedagogu ynë’, ‘mendjendrituri’, e me emërtime të tjera.

Akademik Pajazit Nushi ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, ndërsa ishte rektor i kolegjit universitar “Iliria”.


I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.

Më 1958 ka dhënë provimin shtetëror për profesor të psikologjisë dhe psikologjisë pedagogjike pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë dhe me këtë rast u shpall profesor i rendit I. Studimet e larta i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së disertacionit të doktoratës “Zhvillimi i terminologjisë psikologjike dhe baza semantike e përcaktimit të saj në gjuhën shqipe”.

Nga 1956-1995 punoi si profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe profesor i psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.

Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.

Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.

Ka botuar këto vepra nga fusha e psikologjisë: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.

Është autori i tekstit shkollor të psikologjisë “Psikologjia” për klasën e dytë gjimnaz – fitues i çmimit “Naim Frashëri” si libri më i mirë shkollor në vitin 1996, koautor i disa botimeve të librit “Psikologjia” për gjimnaz dhe shkolla profesionale.

Ka botuar këto tekste universitare: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.

Ka përkthyer nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe tekstet shkollore “Logjika” 1967 dhe “Të mësuemit dhe kujtesa”, 1964.

Aktiviteti profesional dhe shkencor i tij është shtrirë në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Lista e punimeve studimore, e kumtimeve shkencore dhe e artikujve nga fusha e psikologjisë arrin në 142. Përmbajtja e këtyre punimeve ka qenë e lidhur kryesisht me paraqitjen e rezultateve të hulumtimeve empirike, të cilat janë preokupim kryesor i tij.

Më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.

Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.

Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Gërvalla i dënoi tre redaktorët e RTK-së për një kronikë të lajmeve për Kurtin, reagon AGK-ja

Gërvalla i dënoi tre redaktorët e RTK-së për një kronikë të lajmeve për Kurtin, reagon AGK-ja

Lajme
Kica-Xhelili i reagon Çekut: Qëndrimet e LDK-së janë

Kica-Xhelili i reagon Çekut: Qëndrimet e LDK-së janë "sport i rëndë" për ju – bëjeni Qeverinë nëse jeni fitues të zgjedhjeve

Lajme
Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Lajme
Çeku i reagon Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje?

Çeku i reagon Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje?

Lajme
Vizita e shefit të NATO-s në Kosovë, analistët: Rikonfirmim i mbështetjes dhe garancisë për stabilitetin në Ballkan

Vizita e shefit të NATO-s në Kosovë, analistët: Rikonfirmim i mbështetjes dhe garancisë për stabilitetin në Ballkan

Lajme
Elbert Krasniqi konfirmon se do të jetë në koalicion qeverisës me Albin Kurtin në krye

Elbert Krasniqi konfirmon se do të jetë në koalicion qeverisës me Albin Kurtin në krye

Lajme
Kalo në kategori