Kampi zyrtar i AC Milan u mbajt me sukses në Prishtinë

Kampi zyrtar i AC Milan mbylli dyert në Prishtinë me një ceremoni emocionuese. Të pranishëm ishin trajnerë nga Italia dhe Kosova, shumë prindër të entuziazmuar, përfaqësues të mediave dhe, më të rëndësishmit – fëmijë që u kënaqën për një javë.
Pra, kampi zgjati një javë, dhe që nga dita e parë u krijua një atmosferë elektrizuese, me energji pozitive, përkushtim dhe pasion të ndjeshëm në çdo cep të fushës.
Ngjyrat kuqezi të Milanit pushtuan Prishtinën dhe krijuan një përvojë të paharrueshme për fëmijët pjesëmarrës.
Nën udhëzimet profesionale të trajnerëve zyrtarë të AC Milan dhe kolegëve të tyre vendorë, fëmijët nuk po luanin thjesht futboll – ata po mësonin, rriteshin dhe përgatiteshin për ëndrrën e madhe.
Kampi i Milanit në Prishtinë nuk ishte vetëm një aktivitet sportiv, por një mesazh për të ardhmen e futbollit kosovar – ku çdo fëmijë ka të drejtën të ëndërrojë dhe të ndjekë pasionin e tij.
KD Events organizoi edhe njëherë me profesionalizëm dhe përkushtim, një ngjarje kaq të bukur, duke sjellë frymën kuqezi të Milanit në zemër të Prishtinës. /Telegrafi/



















































