Një incident i pazakontë ka ndodhur në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt, ku një person ka pësuar lëndime pasi është kafshuar nga qentë e dy personave të tjerë, ndërsa njëri prej tyre ka shtënë me armë në ajër dhe e ka kanosur viktimën.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 10:00 kur viktima, mashkull kosovar ka njoftuar se qentë e dy të dyshuarve i kishin sulmuar qenin e tij, dhe gjatë përpjekjes për t’i ndarë, ai ishte kafshuar në disa pjesë të trupit nga njëri prej qeneve.


Si pasojë, viktima ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.

Njëri nga të dyshuarit, sipas policisë ka shtënë me armë gjuetie në ajër për t’i zmbrapsur qentë dhe më pas e ka kanosur viktimën. Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë fisheku të pushkës së gjuetisë.

Gjatë bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve, policia ka sekuestruar një pushkë gjuetie me leje dhe nëntë fishekë të kësaj arme.

Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin e rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Kanosje”. /Telegrafi/