LAJMI I FUNDIT:

“Kafja nuk është vetëm pije – është përjetim”: Eksperti gastronom i kafesë, Migjen Dema flet për artin e kafes dhe mungesën e njohurive rreth saj në Kosovë

“Kafja nuk është vetëm pije – është përjetim”: Eksperti gastronom i kafesë, Migjen Dema flet për artin e kafes dhe mungesën e njohurive rreth saj në Kosovë

Në një filxhan të vogël fshihet një botë e madhe. Në të, aroma ngjall kujtime, shija hap biseda, dhe ngrohtësia lehtëson shpirtin. E megjithëse për shumëkënd kafja është thjesht një zakon i përditshëm, për disa të rrallë ajo është një gjuhë më vete – një formë arti, një filozofi, një mënyrë për ta kuptuar veten dhe botën. Një nga këta të rrallë është Migjen Dema.

Nga zhurma e filxhanëve në një kafene të Prishtinës, ku dikur përgatiste kafe si student, Migjeni ka ndërtuar një rrugëtim që e ka çuar përtej teknikës dhe praktikës – në thelbin e asaj që e bën këtë pije të lashtë të jetojë çdo ditë ndryshe. Ai nuk është vetëm barist, por rrëfimtar i heshtur i ritualeve të përditshme që njerëzit i ndajnë me kafen. Një përfaqësues i një kulture që konsumon shumë, por kupton pak; një zë i ri që sfidon mitet dhe injorancën me dije, përkushtim dhe pasion.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Migjeni na fton në një udhëtim përmes kokrrës së kafes – nga origjina deri te filxhani, nga mitet që i besojmë verbërisht deri te nuancat që shpesh na ikin pa u ndalur. Ai na fton të shohim kafen jo si kafeinë, por si përjetim – dhe baristin jo si punëtor të heshtur pas banakut, por si krijues i një ndjenje që zgjat më shumë se një gllënjkë.


Foto: Spectrum Health

“Fillimisht ishte punë, pastaj u bë dashuri”

“Si student, në moshë shumë të re, fillova të punoja në kafenenë Morena, që në ato vite ishte ikonike në qytet,” tregon Migjeni. “Klientët vinin çdo ditë dhe kërkonin që unë t’ua përgatisja kafenë. Fillova ta vërej si ndryshonte dita e tyre me atë filxhan të vogël – bisedat, vetmia, reflektimi. Fillova ta kuptoj se nuk isha thjesht dikush që përgatiste kafe, por pjesë e ritualit të përditshëm të njerëzve”.

Çfarë e bën një kafe të mirë?

Sipas tij, cilësia e kafes nis që nga kokrra: “Duhet të jetë cilësore. Por nuk mjafton vetëm kaq. Uji, temperatura, shtypja, dhe më e rëndësishmja – baristi që i njeh këto elemente dhe i sjell në harmoni”.

Foto: Migjen Dema/Instagram

Kosova e kafes – shumë konsum, pak njohuri

Megjithëse konsumimi i kafes në Kosovë është masiv, Migjeni thekson se “vetëm një pakicë e shijon siç duhet”. Ai shpjegon se për shumë njerëz, kafja është vetëm një “ndalesë e shpejtë” në mes të ditës. “Por kafja është përjetim. Të jep qetësi, energji, e madje lumturi – nëse ia japim hapësirën e duhur”.

Edukimi për kafen mungon

“Konsumatori në Kosovë di emrin e brendit që pi, por jo prejardhjen, përpunimin apo shijen. Kjo është zbrazëti njohurish që duhet të plotësohet”, thotë ai.

View this post on Instagram

A post shared by Migjen (@migjendema)

Origjina, përpunimi dhe shija

Migjeni na sjell një përmbledhje interesante të karakteristikave të kafes nga rajone të ndryshme:

Kafja etiopiane – aromë lulesh dhe frutash të egra

Kafja braziliane – shije çokollate dhe arra

Kafja kolumbiane – balancë dhe aciditet i lehtë

Ndikim të madh ka edhe përpunimi: “Kafja e përpunuar në mënyrë të lagësht sjell më shumë aciditet, ndërsa ajo e thatë sjell ëmbëlsi. Krejt në fund, roli i baristit është vendimtar”.

Mite të zakonshme

Sipas tij, një nga mitet më të zakonshme është se “espresoja e shkurtë është më e rëndë”. Në të vërtetë, thotë ai, “ajo përmban përbërësit më të mirë të kafes”. Edhe ideja se kafja të dehidraton është një tjetër keqkuptim: “Në sasi të moderuar, ajo madje ndihmon në hidratim”.

Foto: Migjen Dema/Instagram

Kafe e zakonshme vs. kafe speciale

“Kafeja e zakonshme prodhohet në masë, pa fokus në cilësi. Kafeja speciale vjen nga origjinë e njohur, përpunohet me kujdes, dhe pjeket për t’ia theksuar aromën – jo për t’ia mbuluar të metat”, shpjegon ai.

Çfarë duhet një kafene për të ofruar kafe cilësore?

Sipas Migjenit, gjithçka fillon me përzgjedhjen e kafes speciale. “Pastaj pajisjet – aparati, mulliri, mirëmbajtja – dhe, mbi të gjitha, baristi. Ai duhet të dijë gjithçka: nga pesha dhe raporti ideal, deri te shkumimi i duhur i qumështit. Detajet bëjnë dallimin”.

Foto: Migjen Dema/Instagram

Baristi si njeriu i padukshëm që krijon përjetimin

Ai thekson rëndësinë e përgatitjes së personalizuar të kafes: “Mund të kesh kafen më të mirë në botë, por pa një barist të trajnuar, e humb krejt shijen. Ekstraktimi, prezantimi – çdo element është i rëndësishëm”.

Këshilla për adhuruesit e kafes

“Mos përdorni sheqer në espreso! Jepini vetes kohë për ta kuptuar shijen e vërtetë. Provoni kafe të ndryshme, kërkoni rekomandime nga baristët. Kafja është si muzika – sa më shumë të dëgjosh, aq më shumë i vlerëson detajet”m përfundon Migjeni për Telegrafin.

Për më shumë nga Migjen Dema dhe këshillat e tij për kafenë, ndiqni profilin e tij në rrjetet sociale ku ai ndan shpesh njohuri e përvoja nga bota e kafesë. /Telegrafi/

Në trend Kuzhina

Më shumë
Recetë origjinale për qebapë Sarajeve

Recetë origjinale për qebapë Sarajeve

Oreksndjellëse
Revani Vlore

Revani Vlore

Kuzhina
Supë frikase me mish pule

Supë frikase me mish pule

Supa
Mish qengji me perime

Mish qengji me perime

Pjata kryesore
Brumë për krepa që është vërtetuar se nuk ju bën obezë

Brumë për krepa që është vërtetuar se nuk ju bën obezë

Oreksndjellëse
Si ta mbani djathin të freskët sa më gjatë në ditët e ngrohta

Si ta mbani djathin të freskët sa më gjatë në ditët e ngrohta

Nga duart tua
Kalo në kategori