Kadaj-Bujupi: Takimi Haradinaj-Merkel, kundër ndarjes së Kosovës dhe për liberalizim të vizave

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi ka deklaruar se takim i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane, Angela Merkel ka për qëllim liberalizimin e vizave dhe është kundër ndarjes së Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kadaj-Bujupi tha se takimi i nesërm është fuqizim i besimit të ndërsjellë për politikat kundër ndarjes së Kosovës.
"Takimi i nesërm i Kryeministrit Ramush Haradinaj me Kancelarën gjermane Angela Merkel në Berlin është fuqizim i besimit të ndërsjellë për politikat kundër ndarjes së Kosovës. Mbrojtja e kufijve të Kosovës rezulton së shpejti edhe me heqjen e barierave kufitare në lirinë e lëvizjeve të njerëzve dhe mallrave, me liberalizimin e vizave", është shprehur deputetja.
Sipas saj, kjo është politika që fitoi besimin e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë, politika e atdhedashurisë, dinjitetit në raport me fqinjët dhe evropianizimit të rajonit.
"Ruajtje të integritetit territorial dhe anëtarësim euro-atlantik. Njohja nga Serbia si parakusht për politikat tarifore ekonomike dhe doganore me fqinjët. Kjo është politika që fitoj besimin e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtar. Politika e atdhedashurisë, dinjitetit në raport me fqinjët dhe evropianizimit të rajonit", ka shkruar Kadaj-Bujupi./Telegrafi/

































