Ka nisur fushata e korrje-shirjeve në Shtime


Komuna e Shtimës ka nisur fushatën e korrje-shirjeve, ndërsa autoritetet komunale kanë zhvilluar një vizitë në terren për të përcjellë nga afër ecurinë e procesit dhe gjendjen e kulturave bujqësore.
Kryetari i Komisionit, Bajram Gashi ka bërë të ditur se monitorimi është duke vazhduar me qëllim të përcjelljes nga afër të punimeve në terren.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë një fushatë të suksesshme dhe të sigurt të korrje-shirjeve, me sa më pak humbje dhe me zero aksidente. Për këtë arsye, monitorimi do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të fushatës dhe qytetarët do të informohen rregullisht për zhvillimet në terren”, tha Gashi.
Sipas njoftimit të komunës fushata e korrje-shirjeve po zhvillohet sipas planifikimit, deri më tani janë korrur 279 hektarë me grurë dhe 60 ari me elb, ndërsa në territorin e Komunës së Shtimes janë të angazhuara 47 autokombanja.
Ndërsa sipas informacioneve të marra nga fermerët dhe pronaret e autokombajnave, këtë vit rendimenti dhe cilësia e grurit paraqiten në nivele shumë të mira.
Rendimenti mesatar nga 5.000 deri në 6.000 kilogramë për hektar, ky është rezultat i përmirësimit të praktikave agroteknike dhe kushteve të favorshme klimatike.
“Komisioni Komunal do të vazhdojë monitorimin e pandërprerë të fushatës deri në përfundimin e saj, duke i kushtuar rëndësi të veçantë respektimit të masave të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të korrje-shirjeve në të gjithë territorin e Komunës së Shtimes”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

































