Juventusi lëshon fitoren nga dora përballë Lazios në sekondat e fundit - dramë për Champions

Juventusi ka lëshuar fitoren nga duart në udhëtim te Lazio në kuadër të javës së 36-të në Serie A, duke barazuar 1-1.
Qysh në minutën e tretë të takimit, Lazio tentoi ta befasonte Zonjën e Vjetër me anë të Fisayo Dele-Bashiru, por Michele Di Gregorio ishte i vëmendshëm.
Dy ekipet më pas u munduan të gjenin hapësira në mbrojtjen e njëra-tjetrës, por nuk arritën.
Kështu, 45 minutat e parë përfunduan pa gola, ndërsa në pjesën e dytë kishte më shumë dramë.
Në minutën e 51-të, Weston McKennie e gjeti për mrekulli Randal Kolo Muanin, që shënoi me kokë në portën kundërshtare për 1-0.
Juventusi më pas mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi Pierre Kalulu u ndëshkua direkt me karton të kuq për ndërhyrje anti-sportive.
Di Gregorio mund të ishte fytyra tragjike e Bianconerëve, pasi në minutën e 88-të bëri një dalje të pakontrolluar duke rrëzuar lojtarin e Lazios në zonë, por e shpëtoi VAR-i që nuk dha penallti – përkundër gjyqtarit David Massa.
Por, mysafirët nuk u mbajtën deri në fund, duke pësuar golin e barazimit 1-1 në minutën e 90+6-të, kur Lazio shënoi nëpërmjet Matias Vecino.
Juventusi me këtë barazim është në vendin e katërt me 64 pikë, derisa në xhiron e 37-të do të ketë punë me Udinesen. /Telegrafi/




















































