Nga: Kastriot Dervishi

Në takimin e zhvilluar më 16 janar 1957 në selinë e Komitetit Qendror të PPSh-së midis delegacionit shqiptar të kryesuar nga sekretari Hysni Kapo (në përbërje të të cilit ishin edhe Mehmet Shehu, Liri Belishova, Rita Marko, Haki Toska) dhe delegacionit parlamentar kinez të kryesuar nga Pen Çeni, u diskutuan edhe marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ndër të tjera doli edhe fakti se minat në kanalin e Korfuzit i vendosën jugosllavët.


Lexo po ashtu: Si u provokua incidenti i Kanalit të Korfuzit?

Mehmet Shehu thotë: “Anijet angleze u përpoqën në mina në këtë kanal, u mbytën dhe kjo çështje u ngrit edhe në OKB, edhe në gjyqin e Hagës kundër shtetit tonë. Kjo ka ndodhur në këto kondita: Unë në vitin 1946 shkova në Beograd. Atëherë isha shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë. Titua na propozoi që të minohej kanali i Korfuzit. Kështu që minat ne i vendosëm me anën e marinarëve jugosllavë. Pasi mora pëlqimin e shokut Enver unë rashë dakord me propozimet e Titos për të minuar kanalin. Nga pala jonë këtë çështje e dinte shoku Enver, unë dhe një marinar shqiptar vetëm, kurse nga pala jugosllave kishte dijeni Titua, shefi i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave dhe marinarët e tyre e askush tjetër, as shokët e Byrosë Politike të partisë sonë (në fakt Bedri Spahiu e dinte dhe e bëri publik në vitin 1991 këtë fakt -shënim). Këtë sekret kaq të madh e zbuluan udhëheqësit jugosllavë duke ua dhënë imperialistëve anglezë, të cilët e shfrytëzuan këtë punë për të krijuar këtë incident për provokim kundër vendit tonë”.