Jo të gjitha kanë simptoma, por këto 6 sëmundje seksuale mund të shkaktojnë infertilitet

Ja cilat sëmundje seksuale mund të ndikojnë në aftësinë për të mbetur shtatzënë
Nuk është sekret që sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) sjellin me vete një sërë problemesh dhe rreziqesh. Edhe pse sot janë shumë më të lehta për t’u trajtuar sesa më parë, kjo nuk do të thotë se çdo infeksion kapet në kohë dhe se trajtimi do të parandalojë gjithmonë pasojat.
Ekspertët paralajmërojnë se numri i rasteve është në rritje. Sërish po rritet numri i të infektuarve me klamidi, sifilis, gonorre, e të tjera.
Fakti që këto sëmundje janë në rritje është tashmë shqetësues, por ajo që shpesh nuk theksohet mjaftueshëm është se shumë prej tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pjellori, duke shkaktuar probleme të rënda me konceptimin dhe shtatzëninë.
Kjo është një arsye shtesë pse duhet treguar kujdes në sjelljen seksuale dhe reaguar menjëherë ndaj çdo dyshimi, për t’i trajtuar përpara se të bëhen më serioze, transmeton Telegrafi.

Cilat sëmundje seksuale ndikojnë në pjellori?
1. Klamidia
Nëse klamidia nuk trajtohet, mund të përhapet në mitër, vezore ose tubat fallopiane dhe të shkaktojë sëmundjen inflamatore të pelvisit (PID), e cila mund të shkaktojë vështirësi në mbetje shtatzënë, rritje të rrezikut për shtatzëni jashtë mitre dhe madje infertilitet. Simptomat përfshijnë djegie gjatë urinimit, sekrecione vaginale jo të zakonshme dhe gjakderdhje midis menstruacioneve ose pas marrëdhënieve seksuale.
2. Gonorrea
Edhe gonorrea, nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë sëmundjen inflamatore të pelvisit. Kjo mund të sjellë dhimbje kronike në zonën e legenit, shtatzëni jashtë mitre dhe humbje të pjellorisë.Simptomat janë të ngjashme me ato të klamidisë, por rreth 50% e grave të infektuara nuk shfaqin asnjë shenjë të dukshme.
3. Sifilizi
Edhe kjo është një sëmundje që mund të ndikojë në pjellori nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët. Nëse një grua shtatzënë është e infektuar, ajo mund ta transmetojë sëmundjen te foshnja përpara lindjes, gjendje e njohur si sifilizi kongjenital. Sifilizi gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme dhe foshnjës së lindur të vdekur. Simptomat e sifilizit përfshijnë plagë të vogla pa dhimbje, skuqje të lëkurës dhe lodhje.
4. Herpes simplex (HSV)
Gratë që kanë pasur herpes gjenital përpara shtatzënisë zakonisht nuk kanë probleme me shëndetin e foshnjës. Megjithatë, nëse infeksioni ndodh gjatë shtatzënisë, ekziston rreziku që foshnja të preket nga një sëmundje serioze e quajtur herpesi neonatal. Simptomat përfshijnë dhimbje në zonën gjenitale, sekrecione jo të zakonshme dhe temperaturë.
5. Virusi i papillomës njerëzore (HPV)
Ndryshe nga infeksionet e tjera, HPV është një grup i zakonshëm virusesh që në shumicën e rasteve nuk shkakton probleme, por mund të çojë në kancer. HPV shpesh është pa simptoma, por mund të shfaqen lezione ose gungëza rreth vaginës dhe anusit. Ky virus lidhet me kancerin e qafës së mitrës, vulvës dhe vaginës. Në rast të kancerit të qafës së mitrës, rritja jonormale e qelizave mund të dëmtojë organet riprodhuese dhe të shkaktojë infertilitet. Nëse zbulohet në fazë të avancuar, trajtimi është më agresiv dhe shpesh ndikon në aftësinë për të mbetur shtatzënë.
6. Trihomonijaza
Shkaktohet nga paraziti Trichomonas vaginalis. Simptomat përfshijnë dhimbje, kruarje, skuqje në zonën gjenitale, si dhe dhimbje gjatë urinimit apo marrëdhënieve seksuale. Gratë janë më të rrezikuara, sepse simptomat shpesh ngatërrohen ose neglizhohen. Nëse nuk trajtohet, trihomonijaza mund të shkaktojë komplikime gjatë shtatzënisë, si lindje të parakohshme ose peshë të ulët të foshnjës në lindje.
7. Hepatiti C
Edhe pse teknikisht nuk konsiderohet një sëmundje klasike seksuale, hepatiti C mund të transmetohet gjatë marrëdhënieve të dhunshme ose përmes ndarjes së shiringave. Me kalimin e kohës, virusi dëmton mëlçinë dhe mund të shkaktojë cirozë, gjë që ndikon në pjellori. Nëse infeksioni ndodh gjatë shtatzënisë, ekziston rreth 4-6% rrezik që virusi të transmetohet te foshnja. Edhe pse disa foshnja mund ta largojnë virusin vetë, të tjera zhvillojnë infeksion kronik, që më vonë mund të çojë në dëmtime serioze të mëlçisë.
Në përfundim:
Shumë sëmundje seksuale janë të trajtueshme dhe të parandalueshme, por vetëm nëse zbulohen në kohë. Kontrollet e rregullta, mbrojtja gjatë marrëdhënieve seksuale dhe konsultat periodike me mjekun janë mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin riprodhues dhe për të parandaluar pasojat e pakthyeshme në pjellori. /Telegrafi/


















































