Javës e gjashtë në Superligën e Kosovës në basketboll: Peja fiton derbin, Trepça dhe Prishtina triumfojnë po ashtu, Bora merr fitoren e parë

Java e gjashtë e ProCredit Superligës solli duele të forta dhe rezultate të rëndësishme për ecurinë e kampionatit.
Ndeshjet prodhuan rikthime, luftë deri në sekondat e fundit dhe fitore të vlefshme për skuadrat që po formësojnë ambiciet e sezonit. Më poshtë gjeni përmbledhjen e plotë të çdo sfide.
Prishtina fiton në Gjakovë
Sigal Prishtina u rikthye te fitorja duke triumfuar si mysafire në Gjakovë me rezultatin 86:91. Çereku i parë u zhvillua me shumë luhatje, por Vëllaznimi e mbylli me epërsi 21:17. Prishtinasit reaguan fuqishëm në periodën e dytë, të cilën e fituan 16:27 dhe shkuan në pushim me avantazh 37:44.
Në pjesën e dytë, kryeqytetasit arritën epërsi deri në 16 pikë (40:56), por vendasit ngushtuan shifrat në 84:88 në fund, megjithatë Prishtina e ruajti epërsinë dhe mori fitoren e katërt të sezonit.
Te vendasit u dallua Marques Warrick me 24 pikë, ndërsa për Prishtinën më i miri ishte Adrio Bailey me 25 pikë dhe shtatë kërcime.
Kampionët bindës ndaj Rahovecit
Trepça shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahovecit 029 me rezultatin 92:78, në një sfidë që u vendos kryesisht në pjesën e dytë. Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe fituan çerekun e parë 21:16, megjithëse mysafirët reaguan dhe e përmbysën lojën në pjesën e dytë të parë duke shkuar në pushim me epërsi minimale 35:36.
Në periodën e tretë Trepça mori sërish kontrollin, duke u shkëputur në 60:50, ndërsa dhjetë minutat e fundit i dominoi plotësisht për ta mbyllur sfidën 92:78.
Drilon Hajrizi ishte lojtari i ndeshjes me 25 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa tek Rahoveci u dallua Isiah Umipig me 20 pikë.
Derbi i javës shkon për prizrenasit
Bashkimi vazhdon marshimin perfekt në kampionat duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi, kësaj radhe në derbin ndaj GO+ Pejës, të cilin e fitoi 83:79. Një ndeshje e luftuar nga fillimi deri në fund, me atmosferë të jashtëzakonshme në Prizren.
Vendasit e fituan çerekun e parë 26:19 dhe shkuan në pushim me epërsi 43:35. Pejanët u rikthyen në lojë në pjesën e tretë, duke barazuar në 57:57, por periudha e fundit foli për orangezinjtë, të cilët menaxhuan më mirë momentet vendimtare për ta mbyllur sfidën 83:79.
Kyan Anderson shkëlqeu për Bashkimin me 16 pikë, gjashtë kërcime dhe tetë asistime, ndërsa për Pejën u dallua Cesare Edwards me 16 pikë dhe 11 kërcime.
Bora siguron fitoren e parë
Bora shënoi fitoren e parë të sezonit duke mposhtur Golden Eagle Yllin në Suharekë me rezultatin 70:78. Ylli e nisi ndeshjen me seri 7:0 dhe fitoi fillimin e periodës, por mysafirët u përgjigjën shpejt duke e mbyllur çerekun e parë 16:18 dhe pjesën e parë 30:37.
Në periodën e tretë Bora e thelloi epërsinë deri në 15 pikë (30:45) dhe e mbajti kontrollin e ndeshjes deri në fund, pavarësisht se vendasit tentuan rikthimin.
Te Ylli u dallua Brandon Huffman me 15 pikë e nëntë kërcime, ndërsa debutimi i Tyler Cheese për Borën ishte spektakolar me 26 pikë. /Telegrafi/

















































