“Java e Teatrit” sjell atmosferë artistike në Kamenicë

Kamenica është shndërruar në qendër të artit skenik këtë javë, duke mirëpritur trupa teatrore nga qytete të ndryshme të Kosovës në kuadër të aktivitetit kulturor “Java e Teatrit”.
Me një repertor të larmishëm dhe pjesëmarrje të teatrove të njohura, ky aktivitet synon të promovojë artin dhe të sjellë më afër publikun me krijimtarinë skenike.
Java nisi më 22 prill, me shfaqjen “Krejona” të Teatrit “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, duke vijuar më 23 prill me shfaqjen “Provinca” të Teatrit “Muharrem Qena” nga Mitrovica. Atmosfera teatrale u pasurua edhe më tej më 24 prill, kur në skenë doli Teatri “Aleksandër Moisiu” nga Kamenica me shfaqjen “Burri burrë”, e cila ngjalli interes dhe duartrokitje të gjata nga publiku vendas.
Në ditën e 25 prillit, janë paraparë dy shfaqje – në orën 14:00 për më të vegjlit me shfaqjen për fëmijë “Libri Magjik”, dhe në orën 19:00 me komedinë “Kërkoj një bashkëshort të ri”, të dyja nga Teatri i Suharekës.
Java përmbyllet më 26 prill, me shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës, që pritet të mbyllë këtë maratonë kulturore me nota të forta emocionale./Telegrafi/

















































