Nga: Matthew Lynn / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjuha ishte tipikisht e larmishme dhe historianët më të aftë për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore mund të bënin lojë me fjalë mbi disa detaje. Megjithatë, një gjë mbetet e padiskutueshme. Kur presidenti Trump pohoi se Bashkimi Evropian ishte krijuar posaçërisht për “t’ia ngulur” Shteteve të Bashkuara – dhe se kjo është arsyeja pse ai planifikon të vendosë tarifa prej 25 për qind mbi mallrat e dërguara nga BE-ja në tregun amerikan – ai nuk e kishte gabim.
Është e vërtetë, presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen, mund të mos kishte shprehur kurrë ato fjalë, ashtu si edhe paraardhësit e saj. Por, ky ka qenë shpesh synimi. Gjatë 50 vjetëve të fundit, një sërë liderësh të BE-së, me presidentin francez zakonisht në krye, kanë promovuar idenë se misioni kryesor i bllokut ishte të jetë një rival i Shteteve të Bashkuara.
Këtë mund ta shohim në një sërë politikash, të mëdha e të vogla. Airbus-i u krijua për të sfiduar dominimin e Boeing-ut në tregun e aeroplanëve komercial dhe ka pasur sukses goxha të madh. Tregu i përbashkët u krijua për të përputhur madhësinë dhe fuqinë e 52 shteteve amerikane. Sistemi rregullator i BE-së u konceptua për të vendosur standarde globale, me besimin se rregullat e bëra në Bruksel ishin më të mira se ato që mund të hartoheshin në Uashington.
Mbi të gjitha, euroja u krijua posaçërisht për të sfiduar fuqinë e dollarit dhe përfundimisht për ta zëvendësuar atë në sistemin financiar global. Në fakt, ish-presidenti francez, Valéry Giscard d’Estaing, kur ishte ministër i Financave i De Gaulleit krijoi termin “privilegji i tepruar” kur përshkroi përfitimet që rridhnin nga kontrolli i monedhës rezervë globale dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të karrierës së vet përpjekjeve për t’i dhënë fund atij privilegji.
Lista vazhdon pandërprerë. Për dekada me radhë, ithtarët më të mëdhenj të BE-së e kanë parë unionin si një rival ekonomik dhe gjeopolitik të ShBA-së dhe, përmes barrierave tarifore, rregullave ndëshkuese dhe politikave tregtare armiqësore, janë përpjekur ta ulin Uashingtonin një shkallë më poshtë.
Por, gjithmonë ka pasur një të metë në këtë ambicie: ajo nuk ka funksionuar me tamam. Ndërsa BE-ja mund ta ketë barazuar ShBA-në për nga madhësia – dhe nuk është kursyer në përpjekjet për të mbrojtur industritë e saj nga konkurrenca e jashtme – ajo kurrë nuk i është afruar Shteteve të Bashkuara për nga dinamizmi sipërmarrës apo energjia inovative.
Në fakt, Trumpi mund të dëshironte të analizonte më nga afër të gjitha tarifat që vendos Brukseli dhe të pyeste nëse janë vërtet një ide e mirë. Duke u përpjekur të hakmerret ndaj Evropës, ai mund të përfundojë duke kopjuar një nga gabimet më të mëdha të saj.
Dhe, megjithatë, argumenti i përgjithshëm i presidentit është me të drejtë i saktë. BE-ja është përpjekur haptazi “t’ia ngul” ShBA-së për dekada me radhë. Nuk mund të ankohet askush nëse dikush në Shtëpinë e Bardhë më në fund e ka vënë re këtë – dhe ka vendosur të marrë masa për këtë. /Telegrafi/