Thirrja për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) që janë të interesuara të përfitojnë nga shërbimet që ofron Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital (EDIH) – “Digital Innovation Gateway for Kosovo” (DIG-4K) është e hapur deri në fund të muajit maj.

Në saje të kësaj thirrjeje ofrohet mundësia për NMVM-të që të përmirësojnë aspektet e tyre digjitale, të konkurrueshmërisë dhe efikasitetit.


Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren javë më parë ka lansuar EDIH DIG-4K, që synon transformimin digjital në Kosovë, duke mbështetur NMVM-të dhe Organizatat e Sektorit Publik (OSP).

Sipas njoftimit të ITP Prizren përmes DIG-4K, “këto entitete do të kenë qasje në mjete të avancuara, ekspertizë të përshtatur dhe infrastrukturë thelbësore për të nisur ose përparuar përpjekjet e tyre për digjitalizim dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë e tyre në ekonominë digjitale”, raporton Telegrafi.

DIG-4K bashkë financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit “Digital Europe” dhe Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë, me synimin për të nxitur inovacionin digjital, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë në Kosovë.

Projekti me një buxhet prej rreth 1 milion euro, ofron qasje në teknologji të avancuar, trajnime praktike, shërbime të testimit, dhe mbështetje për rritjen e kapaciteteve në ekonomi dhe shërbime publike.

I njëjti udhëhiqet nga ITP Prizren së bashku me tetë anëtarë të konsorciumit të përbërë nga sektori privat, sektori publik dhe shoqëria civile, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë shënon edhe anëtarësimin e Kosovës në rrjetin evropian të qendrave të inovacionit digjital (EDIH Network), duke mundësuar bashkëpunime me mbi 200 qendra të ngjashme në BE.

Ndërkaq bizneset dhe institucionet do të kenë mundësinë të përfitojnë shërbime të ndryshme pa pagesë si: Trajnime të personalizuara në përmirësimin e aftësive digjitale; Qasje në teknologji të avancuar dhe ekspertizë profesionale; Testim i zgjidhjeve digjitale dhe Mbështetje për qasje në financa. /Telegrafi/