Nga: Zylyftar Hoxha
Vitet 1930-40, përsa u përket ndërtimeve, përbëjnë periudhën më të ndritur të Tiranës, pasi jo vetëm se aty zë fill një kryeqytet modern, por edhe sepse u bë vërtet kantier ndërtimi. Këtij bumi ndërtimesh i paraprinë sipërmarrësit italianë, si fillim, për shkak të politikave, lidhjeve dhe interesave të ndërsjella të shtetit shqiptar me në krye Mbretin Zog me qeverinë italiane dhe më vonë, në vitet 1939-43, të politikave aneksioniste të shtetit fashist italian me në krye Benito Mussolinin ndaj Shqipërisë.
E dalë nga një prapambetje feudale mesjetare, Tirana, si e gjithë Shqipëria, ishte e etur për prosperitet në të gjitha drejtimet, aq më tepër në atë më të dukshmen, fushën e ndërtimeve. Po kështu edhe zelli i sipërmarrësve dhe kapitalit italian, i nxitur nga ekspansioni, ishte i papërmbajtshëm për të depërtuar në të gjithë jetën e vendit tonë.
Objekti i këtij shkrimi nuk është të analizojë rreth kësaj çështjeje, por është të dëshmojë për punën e jashtëzakonshme intelektuale, krijuese dhe projektuese të arkitektëve, inxhinierëve, arreduesve, piktorëve, skulptorëve dhe specialistëve italianë që punuan në Tiranë dhe për Tiranën.
E vërteta është se shumica e tyre, si Gerardio Bosio, Florestano Di Fausto, Giulio Berté, Vittorio Ballio Morpurgo, Antonio Maraini, Pietro Porcinai etj. kanë qenë emra të mëdhenj të elitës intelektuale, inxhinierike dhe artistike të kohës në Itali dhe më gjerë, të cilët kanë lënë mbrapa vepra të pavdekshme.
Po marrim vetëm ato që janë ndërtuar në Shqipëri. Sado që në sisteme dhe kohë të ndryshme, zogiste, fashiste, komuniste dhe tash së fundmi, demokratike; sado që ndërruan destinacione dhe funksione nga më të çuditshmet, si psh, nga seli militare e Fashios, në Qendër Universitare; nga qendër e Rinisë Fashiste Shqiptare, në Rektoratin e Universitetit të Tiranës; nga Opera Dopolavoro, në Universitetin e Arteve; nga Pallati i Komandës Qendrore, në Kryeministrinë e vendit; nga “Piazza del Littorio”, në sheshin “Nënë Tereza”; nga Hotel “Dajti”, në bankë a tjetër gjë, të shohim ç’do të bëhet(!), përsëri ato mbetën vepra me vlera monumentale unikale që rrezatojnë perëndim, kulturë, civilizim, Tiranë Moderne.
Tirana, për shkak të pozicionit të saj, në një fushë të bukur (mos e shih tani në këtë maskër të vërtetë urbane!), rrethuar nga kodra që në muzg të mbrëmjes apo herët në mëngjes dukeshin si vizatime naive kalamajsh; të ndërtimeve të mëparshme mesjetare orientaliste dhe bukurisë së kopshteve të saj, iu dha dorë specialistëve italianë të bënin ato projekte madhështore që janë në këmbë akoma dhe i japin bukuri bulevardit të madh të Tiranës. Me stile të përzier, por edhe duke futur elemente kombëtarë, u trajtuan dhe u konceptuan nga Bosoio dhe nga kolegët paraardhës të tij, por veçanërisht nga Bosio, të gjitha projektet dhe ndërtimet e Planit Rregullues të Tiranës së asaj kohe.
Gerardio Bosio, godinës së korpusit qendror të Universitetit të Tiranës, për shkak të pozicionit të saj, binte në sy që nga sheshi “Skënderbej” dhe gjithë gjatësia e bulevardit, si një pikë fundore dhe referuese, i dha formën e një kulle të veriut. Po kështu është vepruar edhe për ndërtimet e mëparshme pranë sheshit “Skëndërbej”, por edhe ndërtimeve në qytete të tjerë të Shqipërisë si në Shkodër, Milot, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë dhe Sarandë.
Më pak “Itali në Shqipëri”
Në kuadër të “rikonstruktimit” të sheshit “Skënderbej për t’i hapur vend Muzeut Historik Kombëtar dhe shtatores së udhëheqësit komunist, Enver Hoxha (që nuk vazhdoi gjatë dhe u rrëzua më 20 shkurt të vitit 1991), në vitin 1980 u prish godina e bashkisë së vjetër e ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, një vepër arkitekturore e ngjashme me ministritë. Kjo ishte goditja e parë ndaj projektit italian të qendrës së Tiranës. Goditja tjetër ishte stadiumi Olimpik(më pas Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”), punimet e të cilit u përuruan nga dhëndri i Duçes, Konti Ciano, më 7 shtator 1939 dhe përfunduan me kontribut vullnetar menjëherë pas Çlirimit. Stadiumi u prish para dy vjetësh, për t’u ndërtuar një stadium tjetër më i madh (fatkeqësisht, një projekt i përfolur për afera korruptive). Të njëjtin fat si stadiumi po pëson edhe godina e Circolo Skanderbeg (Teatri Kombëtar), i ndërtuar në vitin 1938 nga Giulio Berte, i cili mendohet të prishet dhe të ngrihet një teatër i ri me një projekt tjetër. Edhe lulishtja pas monumentit të Skënderbeut, si pjesë e kompleksit arkitekturor të sheshit, e projektuar dhe ndërtuar nga italianët, tashmë po e humbet formën e mëparshme. Hotel “Dajti”, që pas një afere të shëmtuar korruptive, i denatyruar dhe rrëgjuar në mënyrën më fatkeqe, s’dihet si do të përfundojë. Kështu që, përherë e më pak “Itali po mbetet në Shqipëri”.
Dorë artistësh me famë…
Në Qendrën e Tiranës, që përfshin Sheshin dhe Ministritë është filluar më herët. Aty kanë lënë gjurmë arkitektët Armando Brasini, Florestano Di Fausto, Giulio Berté, Vittorio Ballio Morpurgo etj.
Gerardio Bosio, i pari, i vetmi dhe më i madhi i ndërtimeve të viteve 1935-1940 në Shqipëri
Ishte i pari, i vetmi dhe më i rëndësishmi arkitekt që ndenji më gjatë dhe iu përkushtua më shumë projekteve të ndërtimit të Tiranës moderne. Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik, pasi Tirana moderne fillon me emrin e tij dhe, për nga numri dhe cilësia e veprave, mund të quhet “kryeqytet i Bosios”. Korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, që shënon fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Akademia e Arteve, Kolonada me Institutin Arkeologjik, Stadiumi (sot Qemal Stafa), Kryeministria, Hotel “Dajti”, Pallati i Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj., janë vepër krijuese, monumente kulture dhe realizime të arkitektit të shquar italian, Gherardo Bosio në fundin e periudhës zogiste dhe sidomos në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gerardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. Bosio vdiq nga kanceri në moshën 38-vjeçare, më 16 prill 1941, në vilën e tij të Montefontit në Firence. Megjithëse gjenial, ai njihet pak nga shqiptarët, pasi në periudhën e komunizmit konsiderohej si “arkitekt fashist”, vetëm e vetëm pse ai punoi në periudhën fatkeqe të gabuar. Tani ka filluar të studiohet, por nuk duhet harruar se vetëm me dy vjet Bosio la pas vepra që ia vlen, në mos më shumë, të paktën të ketë një përmendore ose një emër në një nga punët e tij në qendër të Tiranës.
Armando Brasini
Armando Brasini (1879-1965) ishte një arkitekt italian ndër më të njohurat e shekullit të 20-të. Iu kushtua sidomos restaurimit dhe dekorimit, duke fituar simpatinë e Musolinit. Në vitin 1929 u emërua akademik i Italisë. Ka lënë shumë vepra të bukura pas, natyrisht, të konceptuara në stilin e kohës së vet. Brasiani ka dorë në Shqipëri me sheshin dhe bulevardin e madh në fillimet e tyre. “Ky “mbret” i arkitekturës së asaj kohe kishte projektuar një shesh dhe bulevard tjetër, me stil manierist dhe të rilindjes evropiane, por u kundërshtua dhe u korrigjua fort më pas nga Gerardio Bosio derisa mori formën që ka.
Florestano Di Fausto
Florestano Di Fausto (1890-1965), arkitekt, inxhinier dhe politikan italian. Konsiderohet arkitekti më i rëndësishëm kolonial i epokës fashiste në Itali dhe është përshkruar si “arkitekti i Mesdheut”, pasi shumë vepra të tij janë jashtë Italisë, në ishujt italianë të Egjeut, në Libi, Abisini, Shqipëri etj. Me një përgatitje të jashtëzakonshme të kombinuar me shkathtësi të përkryer, njihet për dizenjot e tij të ndërtimit, për stile të ndryshme arkitektonike, sidomos mes eklekticizmit dhe racionalizmit.
Në Shqipëri në vitin 1932 ai zëvendësoi Armando Brasinin duke vazhduar punën me qendrën e kryeqytetit, Tiranës dhe ndërtesat e departamenteve monumentale rreth Sheshit “Skënderbej”. Po në këtë kohë ai ka projektuar pallatin mbretëror të Durrësit, vilën mbretërore në Shirokë, Shkodër, të porositura nga Mbreti Zog I.
Giulio Berté
Pas Brasinit dhe Di Faustos, Giulio Bertës i takon merita e strukturës definitive të sheshit “Skënderbej”, por edhe rrugëve Bulevardi Zogu i Parë, fillimit të Rrugës së Kavajës, Vilës karakteristike Nepravishta; Teatrit Popullor, që mendohet të prishet dhe për të cilin po bëhet shumë zhurmë këto kohët e fundit; Pallatit të Brigadave, si dhe objekteve të tjera nga 1935 deri në vitet ’40 të shekullit të kaluar në Tiranë.
Vittorio Ballio Morpurgo
Vittorio Ballio Morpurgo (1890-1966) arkitekt italian, përfaqësues i shquar i arkitekturës racionaliste italiane të viteve 1930. Ka projekte dhe ide të tij edhe për ndërtimet e asaj kohe në Tiranë.
…Në Pallatin Presidencial
Pallati Presidencial, i njohur si Pallati i Brigadave, filloi të ndërtohej nga Mbreti Zog I në vitin 1936. Ky pallat, i projektuar nga arkitekti italian, Julio Berté dhe më pas i ndryshuar thellë në stil: nga Deko drejt stilit të Racionalizmit Monumental nga i famshmi Gerardio Bossioi, do të shërbente si rezidenca e mbretit Zog. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, mbreti Zog u largua nga vendi. Ndërtimi i pallatit u përfundua në vitin 1941 nga italianët dhe u inaugurua gjatë vizitës në Shqipëri të mbretit Viktor Emanueli III. I dyti “perandor” pas tij ka qenë i ka qenë “Meke Partizani”, personazh i Dritero Agollit. Gjatë periudhës së Socializmit (1945-1991), objekti është përdorur për pritje dhe ceremoni shtetërore, funksione që i kryen edhe sot. Nga viti 1992, emri zyrtar i këtij institucioni është Pallati Presidencial.
Më poshtë po risjellim në vëmendje të lexuesit disa nga emrat e mëdhenj që kanë dhënë kontributin e tyre krijues në këtë vepër me vlera monumentale.
Antonio Maraini dhe Odhise Paskali
Skulpturat e Pallatit Mbretëror janë realizuar nga skulptori italian Antonio Maraini dhe skulptori shqiptar, Odhise Paskali. Të dy këta skulptorë, çuditërisht, veç punës së përbashkët në këtë kompleks madhështor, i lidhte edhe e njëjta histori formimi kulturor dhe profesional, pasi të dy, fillimisht studiuan dhe u diplomuan në degë të tjera, Marianini në Drejtësi, ndërsa Odhise Paskali në Letërsi dhe Filozofi. Por shpejt ndërruan kurs, duke iu përkushtuar arteve figurative, posaçërisht Skulpturës, ku u bënë të dy të famshëm.
Ndërsa skulptorin tonë të madh, Odhise Paskalin e njohim dhe nuk po zgjatemi, do të japim diçka nga jeta e Marianinit:Antonio Maraini kishte lindur në Romë në vitin 1886 dhe vdiq në Firence në vitin 1963.
Shumë i vlerësuar gjatë periudhës fashiste, Antonio Maraini, veç krijimtarisë si skulptor, shërbeu edhe si organizator i politikës kulturore të regjimit, në komisione të rëndësishme zyrtare dhe si deputet. Pas Luftës së Dytë Botërore, Antonio Maraini jetoi disi si i izoluar në Firence, duke mos hequr dorë nga drejtimi i Akademisë së Pikturës.
Pietro Porcinai
Gjelbërimi i kompleksit është mbështetur nga projekti i gjelbërimit i Pietro Porcinai (një nga projektuesit më të njohur evropianë të pasluftës) dhe projektit të vëllezërve Zgaravatti më 1935 për të cilët do të flasim më poshtë.
I vlerësuar për veprat, studimet dhe botimet në fushën e peizazhit natyror, ai hyn në elitën botërore të arkitektëve të kopshteve dhe konsiderohet si më i shquari i kësaj fushe në shekullin e kaluar në Itali dhe në botë.
Pjetro Porcinai u lind në Firence më 20 dhjetor 1910 dhe vdiq më 9 qershor të vitit 1986. Ishte diplomuar për bujqësi dhe fillimisht ka punuar në Belgjikë dhe në Gjermani. Më pas ai kthehet në Institutin e Bujqësisë në Firence, ku vazhdoi studimet deri sa u diplomua në vitin 1935, ndërkohë që punonte dhe në Pistoia. Ne vitin 1941 filloi Institutin e Lartë të Arkitekturës në Firence, por e braktisi në vitin 1945, pa u diplomuar.
Më pas ai nisi të punonte jashtë Italisë, në kopshtet më të rëndësishme të Arkitekturës Evropiane, ku iu krijuan mundësi për t’u përballur me metoda e teknika të reja dhe me disa zgjidhje e koncepte të rëndësishme të peizazhit. Ai ka bashkëpunuar me arkitektët e monumenteve të gjelbra më të njohur në Evropë dhe në botë. Gjatë jetës profesionale ka krijuar shumë organizata për peizazhin dhe lulet, ka mbështetur me asistencë teknike mjaft biznese, që janë marrë me lulëtarinë dhe me peizazhin në Itali dhe më gjerë.
Opusi i tij projektues dhe krijues përfshin një listë shumë të gjatë në shumë vende të botës, mbi 1 100 vepra të peizazhit natyralistik (kopshte). Ndër këto vepra të gjalla të Pietro Porcinait është edhe vepra e tij e parë e realizuar në vitin 1935 në Tiranë (Kopshti i Pallatit Mbretëror).
Veç një numër të madh monumentesh të gjelbra në mbarë botën, Porcinai ka lënë edhe mjaft botime profesionale, libra, udhëzues praktikë, ese të vlefshme të cilat sot kanë gjetur përdorim në projektet e parqeve dhe lulishteve.
Vëllezërit Sgaravatti
“Vëllezërit Sgaravatti” është firma famoze e italiane e kopshteve që mbështeti Pietro Porcinain, me bimë, shkurre, drurë, ide dhe projekte. Megjithëse gati 200-vjeçare, kjo kompani, e ngritur fillimisht në Padova, vazhdon edhe sot me filiale në të gjithë Italinë. Historikisht njihet për projektet dhe furnizimet e saj me bimë në të gjithë qytetet dhe kryeqytetet më në zë të botës, në Evropë, Azi dhe Amerikë.