Ishujt Falklands, referendum për pavarësinë

Sondazhet paraprake tregojnë se popullsia prej disa mijëra banorësh e ishujve me madhësinë e Kosovës pritet të votojnë në mbështetje të qëndrimit brenda Britanisë.
Referendumi mbahet 30 vjet pasi Falklands u pushtuan nga Argjentina, e cila nuk e njeh sovranitetin britanik mbi këtë territor.
Ndërhyrja e vendosur e ushtrisë britanike, nën urdhrat e kryeministres Thatcher, bëri që pas një konflikti 74-ditor, me mbi një mijë viktima, Falklands të riktheheshin nën varësinë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, transmeton TCH.
Megjithatë, së fundmi Buenos Airesi ka ashpërsuar tonet, duke ngritur çështje në OKB, vendosur sanksione të njëanshme mbi mallrat britanikë dhe duke rikthyer një krizë të Falklands në marrëdhëniet dypalëshe.
Ishujt, ndonëse mijëra kilometra larg territorit britanik, i ofrojnë Londrës një pozicion tepër stategjik në Atlantikun Jugperëndimor, përreth një zone ku besohet se ka rezerva të rëndësishme nafte.
Argjentina, nga ana e saj, pretendon ishujt e njohura prej saj si Malvinas mbi baza historike. Shteti amerikanojugor fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, me Falklands si pjesë e tij, por Perandoria Britanike pushtoi territorin në vitin 1829 dhe që prej atëherë mbetet pjesë e Britanisë. /Telegrafi/





















































