Ish-ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se Kasapolli i është bashkuar LDK-së, ndërsa ka deklaruar se ai është një prej emrave më të njohur të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend.


"Me më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, Gëzimi ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillimi i politikave evropiane. Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së", ka deklaruar ai.

Mes tjerash, ai ka shtuar se "Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian".

"Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian"./Telegrafi/