Site icon Telegrafi

Investimet kineze në Ballkan, Serbia ‘okupohet’ me 61 projekte në vlerë prej 19 miliardë eurosh

Udhëheqësit e shtatë vendeve më të fuqishme ekonomike të botës (G7) në fund të muajit qershor kanë detajuar planin për t’i mobilizuar 600 miliardë dollarë rreth projekteve infrastrukturore, që është një lëvizje për të rivalizuar projektin kinez “Një brez, një rrugë”.

Iniciativa infrastrukturore e Kinës është kritikuar dhe parë si një projekt që fut vendet në borxhe.

Plani është paraqitur si një mënyrë për të kundërshtuar iniciativën ambicioze të Kinës e njohur si “Një brez, një rrugë”, nisur nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013, duke ofruar financime për vendet në zhvillim me qëllim ndërtimin e rrugëve, urave apo porteve.

Iniciativa kineze cilësohet si një mjet i dhënies së “kredive”, duke i detyruar vendet e ngarkuara me borxhe të heqin dorë nga asetet kryesore, nëse nuk arrijnë të shlyejnë borxhin.

Se Kina me anë të kësaj nisme tashmë ka okupuar Serbinë vërehet në projektet që i ka zhvilluar në këtë vend.

Sipas të dhënave, në Serbi gjatë dekadës së fundit janë realizuar 61 projekte në vlerë prej 18.7 miliardë eurosh, ndjekur nga Bosnja e Hercegovina me 29 projekte me kosto prej 5 miliardë eurosh dhe Maqedonia e Veriut me 15 projekte në vlerë prej 654 milionë euro.

Në anën tjetër, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku investimet kineze kanë rënë në pesë vjetët e fundit.

Përveç marrëdhënies ekonomike, Serbia kishte blerë sistemin kundërajror kinez. Më 10 prill, shteti serb me anë të një operacioni sekret kishte pranuar këtë sistem, derisa mediet ndërkombëtare paralajmëruan se gjithçka po ndodhte mes shqetësimeve të vendeve perëndimore se një gjë veprim gjatë agresionit ushtarak rus në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë të Ballkanit.

Dorëzimi i këtij armatimi, për të cilin Serbia e kishte blerë nga Kina në vitin 2019.

Lexo po ashtu Mes shqetësimeve të vendeve perëndimore, Serbia demonstron sistemin raketor të blerë nga Kina

Perëndimi ka shprehur më parë shqetësimin se armatimet shtesë të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë luftës në Ukrainë mund të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Po ashtu, përveç Kinës edhe Rusia është duke pasur prezencë të madhe të aktivitetit ekonomik në Serbi.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, numri i bizneseve në Serbi të themeluara nga qytetarët rusë është rritur ndjeshëm. Kjo ka ardhur pasi që Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione ekonomike regjimit të Kremlinit.

Nga të dhënat e Agjencisë serbe për Regjistrimin e Bizneseve, nga 24 shkurti deri më 31 maj janë regjistruar gjithsej 288 kompani dhe 730 sipërmarrës, themelues të të cilëve janë shtetas dhe persona juridikë nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version