Klementin Mile
E nisim me një pyetje ontologjike: Si t’ju drejtohem, si ‘politikan’ apo si ‘i korruptuar’?
Në kohën që jetojmë është e vështirë t’i ndash prej njëra-tjetrës dhe në përgjithësi nuk e merr njeri mundimin ta bëjë këtë. Kjo pasi sot dominon një prirje anti-esencialiste, pra mungon interesi për të përcaktuar esencën e gjërave. Sot nuk bëhet më pyetja ‘Çfarë është një politikan?’, por ‘Si manifestohet politikani?’. Rrjedhimisht, nuk ka një koncept të politikanit, por vetëm konceptime të ndryshme të tij. Dhe konceptimet nuk thonë asgjë për esencën e politikanit. Kështu, veprim ‘politikani’ pranohet të jetë edhe dhuna në parlament, pavarësisht se parlamenti (nga parlare) është vendi ku politikani pritet të flasë, jo të gjuajë me grushte. Veprim ‘politikani’ pranohet të jetë edhe ofrimi i parave, vendit të punës, apo i ndihmave ekonomike në këmbim të votës. Veprim ‘politikani’ pranohet të jetë edhe abuzimi me fondet publike, edhe abuzimi me kompetencat dhe ligjin. Personi në fjalë nuk pushon së qeni ‘politikan’; thjesht quhet ‘politikan i korruptuar’. Por kjo nuk ia ndërpret karrierën politike, shpeshherë madje ia lehtëson suksesin. Do ishte vërtet problem për mua nëse, atëherë kur kanë parë që kam ushtruar dhunë, do më quanin thjesht ‘të dhunshëm’. Do ishte po aq keq nëse, atëherë kur kanë marrë vesh që kam abuzuar me fondet dhe ligjin, do më quanin thjesht ‘të korruptuar’. Kjo do t’i jepte fund karrierës sime – do më kishin mohuar ekzistencën si politikan, pasi politikani do ishte një entitet krejt tjetër, një njeri që nuk korruptohet dhe nuk ushtron dhunë. Fatmirësisht, shoqëria është anti-esencialiste dhe nuk arrin deri aty.
Vazhdojmë me një pyetje metafizike: Çfarë ju bëri të korruptoheni?
Pra ju po kërkoni të dini shkakun fillestar. Ky është ndoshta e pamundur të zbulohet. Ajo që mund të them është se në jetën time kam përjetuar mungesën e Zotit. Po, kishte të drejtë Nietzsche: Zoti vdiq. Dhe për mua Zoti është autoriteti; vdekja e Zotit është vdekja e autoritetit. Unë e interpretova mungesën e autoritetit ashtu siç bëjnë post-modernistët – si licencë për të bërë gjithçka që dëshiroja, pa asnjë kufizim. Sepse kur Zoti s’është më, gjithçka lejohet. E kjo do të thotë që lejohet edhe korrupsioni. Kishte të drejtë Heidegger-i: Vetëm një Zot mund të na shpëtojë.
E qartë. Vijojmë me një pyetje aksiologjike: A jeni i lumtur?
Kam dashur të jem i lumtur. Besoj se këtë e synojnë të gjithë njerëzit. Por lumturia është një term shumë abstrakt dhe nuk e verifikojmë dot gjendjen e lumturisë te njeriu. Prandaj, në vend të saj, kam preferuar të kem kënaqësi. Sa më shumë kënaqësi dhe sa më pak dhimbje. Këtë e kam arritur. Sigurisht, e di që kjo nuk është lumturi dhe e di që ky është ideali i utilitaristëve. Herë pas here më shqetëson kuptimi i jetës sime, edhe pse e mbushur me kënaqësi. Por kam rënë në paqe me këtë fakt: besoj se nuk ka njerëz të lumtur në botë.
Pyetja tjetër është epistemologjike: Çfarë ju siguron që nuk do zbuloheni?
Do ju përgjigjem me anë të një anekdote. Një ditë burri hyn në dhomën e gjumit dhe gjen në shtratin martesor gruan me shokun e tij të ngushtë. Shoku i tij ngrihet dhe i thotë: ‘Prit! Para se të thuash ose bësh ndonjë gjë për të cilën mund të pendohesh më vonë, më thuaj, ti më beson mua apo syve të tu?’ Ideja është që nëse i beson shokut të ngushtë, burri është racionalist; nëse u beson syve të vet, është empiricist. Unë e di që nuk do zbulohem pasi jam i aftë të ndryshoj pozicionin sipas nevojës. Kur paraqitet një provë e korrupsionit tim dhe njerëzit fillojnë t’u besojnë syve të tyre, unë them se prova ishte e montuar dhe se ata duhet të më besojnë mua, përfaqësuesit të tyre në parlament, i cili ka marrë përsipër kauzën e shenjtë të mbrojtjes së interesave të tyre. Ndërsa, kur më akuzojnë me argumente racionale si të korruptuar, unë u kërkoj prova, fakte, firma, procesverbale. Shkurt, kur më akuzojnë empiricistët, bëhem racionalist; kur më akuzojnë racionalistët, bëhem empiricist.
Kuptoj. Dhe për ta përfunduar këtë intervistë me një pyetje etike: A ndiheni përgjegjës për dëmin që i keni shkaktuar shoqërisë?
Aspak. Nuk është se nuk kam ndërgjegje, por nuk ndiej përgjegjësi. Në fakt jam i bindur se njerëzit nuk e fajësojnë kurrë seriozisht vetveten për ndonjë gjë. Çdo njeri është i bindur se ka të drejtë. Dhe kush më mirë se subjekti mund ta dijë situatën e vet. Të tjerët mund të më gjykojnë, por ata nuk i dinë të gjitha, ata i shohin gjërat nga jashtë dhe jo në mënyrë direkte. Vetëm unë kam akses të drejtpërdrejtë te vetja ime. Por unë nuk mund ta fajësoj veten, pasi kjo do të thotë skizofreni: vetja që fajëson veten. Një vete që fajëson, kundër një veteje që fajësohet. A është e mundur kjo?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsh-shoku për Gjestin: Është mosmirënjohës, injorant i fëlliqur - për katër vjet ia kam paguar qeranë e i kam dhënë bukë
Gjesti befasohet nga fjalët emocionuese të Eglit në letër, derisa ai i shkroi ish-partneres
Vrasja në Skenderaj, vëllai i viktimës: I kanë thanë zhveshu në mes lokalit, kanë deshtë me çnjerëzu, tani e kanë vra me 14 plumba
Plaçkitën 4 milionë euro në një bankë në Greqi, dy shtetas nga Kosova në kërkim
Analiza e ekspertit amerikan për ndryshimet e Trumpit: Serbia do të bëjë përpjekje për territore në BeH dhe Kosovë
“O Zot i madh më ndihmo” - Gjesti nuk pranon të lexoj letrën që shkroi në Big Brother
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat
Në momentin kur i afrohet Egli Tako - Gjesti largohet nga tavolina
Ish-shoku për Gjestin: Është mosmirënjohës, injorant i fëlliqur - për katër vjet ia kam paguar qeranë e i kam dhënë bukë
Vrasja në Skenderaj, vëllai i viktimës: I kanë thanë zhveshu në mes lokalit, kanë deshtë me çnjerëzu, tani e kanë vra me 14 plumba
“Shkëmbim territoresh” – ish-këshilltari i Trumpit flet për rrezikun Kosovë-Serbi
Analiza e ekspertit amerikan për ndryshimet e Trumpit: Serbia do të bëjë përpjekje për territore në BeH dhe Kosovë
Plaçkitën 4 milionë euro në një bankë në Greqi, dy shtetas nga Kosova në kërkim