Interi merr një "infuzion" para ndeshjes vendimtare - kthehen tre yje nga lëndimet

Trajneri i Interit, Cristian Chivu mund të ketë në dispozicion Denzel Dumfries, Marcus Thuram dhe Davide Frattesi për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës për Klube, ku Interi do të përballet me River Plate.
Sipas raportimit të Matteo Barzaghit nga Sky Sport, përmes InterNews, rikuperimi i kësaj treshe është një mundësi reale: "Për ndeshjen kundër River Plate, Interi mund të rikuperojë disa lojtarë – sidomos Dumfries, Thuram dhe Frattesi. Nuk pres që të jenë titullarë, por mund të jenë të gatshëm për t’u futur nga stoli", deklaroi gazetari italian.
Zikaltërit arritën të përmbysin rezultatin dhe të mposhtin Urawa Red Diamonds me rezultat 2-1 të shtunën në mbrëmje. Golat e Lautaro Martinez dhe Valentin Carboni, të dy në fund të ndeshjes, bënë diferencën pas një performance të zbehtë dhe rezistence të fortë nga japonezët.
"Interi nuk ishte në formën më të mirë, por ky ekip refuzon të dorëzohet. Ata kanë përmbysur rezultatin në të dyja ndeshjet e fazës së grupeve dhe kanë treguar karakter të fortë".
Pas dy xhirove, Interi dhe River Plate kanë nga 4 pikë, por argjentinasit kryesojnë falë golaverazhit më të mirë. Një fitore e Interit në përballjen direkte do të siguronte kalimin më tej, por edhe një barazim apo humbje mund të mjaftojnë – nëse Monterrey nuk arrin të mposhtë Urawa Red Diamonds në ndeshjen e tyre të fundit.
Pra, edhe pse një fitore është opsioni më i sigurt për kualifikim, situata në grup mbetet e hapur deri në minutën e fundit. /Telegrafi/





















































