Interi ia rrëmben Juves nga dora Paredesin

Dy skuadrat me rivalitetin më të madh në Itali padyshim se janë Juventus dhe Inter.
Këto dy ekipe nuk janë rivale vetëm në fushën e lojës apo vetëm tifozët në tribuna.
Ky rivalitet ka vazhduar edhe në tregun e transferimeve me dy skuadrat që shpesh herë synojnë ta dëmtojnë njëra tjetrën duke i marrë objektivat.
Kampionët e Italisë ditë më parë prezantuan ish-mbrojtësin e Interit, Joao Cancelo, por nuk ka vonuar përgjigja e skuadrës nga Milano.
Mesfushori argjentinas, Leandro Paredes duket se do ta vesh fanellën zi kaltër.

Agjenti i lojtarit i ka ofruar Paredesin Interit para Juventusit dhe kjo i ka gëzuar tej mase zi kaltërtit.
Spalletti e njeh lojtarin pasi me të ka punuar edhe tek Roma dhe po tenton transferimin e tij.
Inter është e gatshme të ofrojë 30 milionë euro te Zeniti për ta transferuar argjentinasin në Serie A.

Paredes ishte objektiv madhor i Juventusit në tri vitet e fundit, por Zonja e Vjetër nuk arriti dot ta transferonte në Torino.
Zyrtarizimi i këtij transferimi pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme, ndërsa Paredes do të nënshkruajë kontratë katër vjeçare me Interin. /Telegrafi/






















































