LAJMI I FUNDIT:

Intelektualët malazezë: Perëndimi ta mbrojë Malin e Zi, Bosnjën e Kosovën nga Vuçiqi

Intelektualët malazezë: Perëndimi ta mbrojë Malin e Zi, Bosnjën e Kosovën nga Vuçiqi

Një grup intelektualësh malazezë kanë reaguar sot lidhur me situatën aktuale socio-politike në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e Perëndimit ndaj zhvillimeve në rajon, duke kërkuar nga Perëndimi, SHBA dhe BE, që ta mbrojnë Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën nga politika ruso-kineze, që po zbatohet përmes Vuçiqit.

Në reagimin e nënshkruar nga intelektualët malazezë, të cilin e transmetojnë mediat, thuhet se “është koha e fundit për të folur hapur për statusin e Ballkanit Perëndimor”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian me ose pa vetëdije po e ndihmojnë politikën ruse në rajon. Pse e bëjnë këtë është e vështirë të thuhet. Por nëse si ilustrim të situatës në Ballkanin Perëndimor do të merrnim deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për Kosovën, atëherë mund të konstatojmë se Perëndimi po ia mban anën Aleksandar Vuçiqit. Pse e bëjnë këtë – ne nuk e dimë. Nëse ekziston një besim naiv se Serbia do të shkëputet nga Rusia, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Kushdo që njeh kulturën politike serbe dhe skenën politike serbe, e di se ndryshimi i Vuçiqit do të nënkuptonte fundin e tij. E Aleksandar Vuçiq intimisht dhe nga pikëpamja e vlerave është më afër Lukashenkos sesa me cilindo burrështetas perëndimor”, thuhet në reagimin e intelektualëve malazezë, përcjell Telegrafi.


Më tej në reagim thuhet se “politikën e çuditshme të SHBA-ve dhe BE-së në këtë rajon po e shfrytëzojnë shkëlqyeshëm Rusia dhe Kina përmes Serbisë, e cila vepron si një hegjemon lokal që frenon dhe ngrin integrimin fillimisht të qytetarëve të saj, e më pas të qytetarëve të Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Është një ‘politikë klasike e të lëshuarit pe’, pasojat e së cilës në nivel global po i paguajnë sot ukrainasit”.

“Kjo politikë nuk është prej dje. Ajo u funksionalizua me epokën e Trumpit dhe Merkelit dhe tani po përjeton kulmin e saj. Mali i Zi ra në vitin 2020, Bosnja së fundmi (me dritanizimin e konstalacionit politik), Kosova është në radhë dhe pret Dritanin e saj. Çfarë po manifestohet? Vuçiq sillet si një “Lenin serb”, çdo lëvizje e tij politike është ideologjike. Ai beson se neutralizimi i të gjitha politikave rajonale solide shtetformuese dhe shtyllave ideologjike mbi të cilat mbështeten si shtete Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova është në fakt një parakusht për pushtimin e ideologjisë së Botës Serbe. Ideologjia e Botës Serbe nuk shfaqet me tanke si në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ajo tani nëpërkëmb iniciativat rajonale, ekonominë, median dhe udhëheq një luftë speciale për të minuar parimet themelore përmes të cilave tri shtetet e përmendura ishin shkulura nga hegjemonia e Serbisë”.

Më tej intelektualët malazezë thonë se “platforma është e qartë – nuk ka bashkëpunim të ngushtë me Beogradin derisa Beogradi të mos e pranojë gjenocidin në Srebrenicë, ekzistencën e kombit malazez dhe shtetin e pavarur të Kosovës. Nëse vazhdohet kështu, pas disa vitesh të gjitha politikat që themeluan Malin e Zi, BeH dhe Kosovën do të margjinalizohen plotësisht dhe tehu i tyre do të topitet. Do të vijë koha e populistëve, mashtruesve, kontrabandistëve dhe liderëve lokalë, të cilët do ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në një zorrë të trashë të politikës perëndimore dhe ruso-kineze, ku do të përfundojnë aferat e pista dhe kriminale”.

“Është e nevojshme të veprohet, sa më shpejt, me plane afatgjata. Çështja e Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës duhet të lidhen. Boshti Sarajevë-Podgoricë-Prishtinë duhet të marrë jetë, elitat duhet të lidhen dhe të fillojnë të veprojnë në planin e lobimit kulturor dhe operativ-politik. Perëndimi nuk ka çfarë të presë më, sepse duket se ata po shikojnë vetëm numrat dhe fuqinë e mundshme. Të vetëm, të gjithë jemi të pafuqishëm, së bashku jemi shumë më të fortë. E partnerë për lidhje ka edhe në Beograd, janë ato pak forca qytetare dhe liberale, të cilat Vuçiq pothuajse i mbyti sipas mënyrës së Putinit”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga intelektualët malazezë Adnan Çirgiq, Aleksandar Radoman, Boban Batriçeviq dhe Andrej Nikolaidis./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjykata Speciale, ish-mjeku i KFOR-it: Raporti për ngjarjen në ish-godinën e MUP-it në Prizren, nuk sjell përfundim që kryerësit e krimit ishin shqiptarë

Gjykata Speciale, ish-mjeku i KFOR-it: Raporti për ngjarjen në ish-godinën e MUP-it në Prizren, nuk sjell përfundim që kryerësit e krimit ishin shqiptarë

Drejtësi
Babai i 3-vjeçarit të dhunuar fizikisht Nuk e fal gjakun e fëmijës, mos më kërcënoni

Babai i 3-vjeçarit të dhunuar fizikisht Nuk e fal gjakun e fëmijës, mos më kërcënoni

Lajme
Vrasja në “Kobra City”, babai i të ndjerit thotë se kur shkoi në spital e kuptoi se i kishte vdekur djali

Vrasja në “Kobra City”, babai i të ndjerit thotë se kur shkoi në spital e kuptoi se i kishte vdekur djali

Drejtësi
Rikthehen privilegjet për ushtarakët në Shqipëri, shpërblim në paga, shkollim dhe shtëpi në përdorim

Rikthehen privilegjet për ushtarakët në Shqipëri, shpërblim në paga, shkollim dhe shtëpi në përdorim

Lajme
Kontributi i FSK-së në Ukrainë: Gjeneral Jashari dhe zëvendëskomandanti i NATO-s në Napoli diskutojnë mbështetjen dhe trajnimet

Kontributi i FSK-së në Ukrainë: Gjeneral Jashari dhe zëvendëskomandanti i NATO-s në Napoli diskutojnë mbështetjen dhe trajnimet

Siguri
Serbia shpall dy shqiptarë non-grata, tregojnë arsyen përse janë ndaluar nga autoritet serbe

Serbia shpall dy shqiptarë non-grata, tregojnë arsyen përse janë ndaluar nga autoritet serbe

Lajme
Kalo në kategori