Imran Fetai rikthehet te Shkëndija, largohet Kocev

Shkëndija e Tetovës ka siguruar shërbimet e Imran Fetait, i cili rikthehet në klubin ku e nisi karrierën, njofton Telegrafi.
Futbollisti 22-vjeçar, i cili luan në pozitën e mesfushorit, vjen nga Besa e Dobërdollit dhe është përfaqësues i rregullt i Maqedonisë së Veriut U21. Ky transferim shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e kuqezinjëve, të cilët synojnë të jenë kompetitivë në arenën evropiane dhe më pas në kampionat.
Fetai ka kaluar një rrugë të gjatë futbollistike, duke luajtur fillimisht te Shkëndija, më pas në Shqipëri te Apollonia U19, Gostivari, Tikveshi dhe së fundmi te Besa. Në sezonin e kaluar, ai regjistroi 27 paraqitje për Besën, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar tre asistime. Me këtë rikthim, Shkëndija shpreson të përfitojë nga energjia dhe talenti i tij në mesfushë.
Ky transferim shënon lëvizjen e parë të Shkëndijës në afatin kalimtar të verës, teksa klubi ka nisur përgatitjet intensive për ndeshjet eliminatore në kuadër të Ligës së Kampionëve. Pas shpalljes kampione, Shkëndija synon të bëjë një paraqitje dinjitoze në garën më të rëndësishëm evropian për klube.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i djathtë Stefan Kocev nuk do të jetë pjesë e kuqezinjëve në të ardhmen. Pas disa sezonesh me Shkëndijën, Kocev ka vendosur të kërkojë sfida të reja në karrierën e tij. Klubi i ka uruar atij suksese në të ardhmen dhe e ka falënderuar për kontributin e dhënë. /Telegrafi/








































