Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi ka pranuar një mirënjohje të lartë nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtori Rajonal i Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin e qëndrueshëm, korrektësinë profesionale dhe kontributin e dhënë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Maliqi ka theksuar se kjo mirënjohje ka një peshë të veçantë morale dhe institucionale, pasi përfaqëson jo vetëm një vlerësim formal, por edhe dëshmi të besimit, respektit dhe partneritetit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.


Sipas tij, ky vlerësim shërben njëkohësisht si motivim dhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e angazhimit me seriozitet, përkushtim dhe integritet.

Në këtë ceremoni, Drejtori Rajonal i Policisë, Nënkolonel Basri Shabani, ishte i shoqëruar edhe nga Fatos Haziri, çka i dha aktit karakter të lartë zyrtar dhe konfirmoi vullnetin institucional për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm.

Maliqi vlerësoi rolin e Policisë së Kosovës si një nga shtyllat kryesore të stabilitetit, rendit dhe sigurisë në vend, duke theksuar se ajo mbetet një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara në Republikën e Kosovës.